BQE krahason hovin e IA me flluskën dotcom, ndërsa gjigantët e teknologjisë shtojnë borxhin

Banka Qendrore Europiane e krahasoi hovin e inteligjencës artificiale me flluskën dotcom në raportin e saj gjashtëmujor të Stabilitetit Financiar, të publikuar ditën e sotme. Ajo paralajmëroi se shtimi i listimeve në bursë mund të jetë shenjë e euforisë në fund të ciklit, ndërsa huamarrja e lartë e gjigantëve të teknologjisë i lë tregjet të ekspozuara ndaj një vale të papritur shitjesh.
Rreziqet për stabilitetin financiar të Eurozonës “mbeten të larta, duke pasur parasysh pasigurinë e vazhdueshme gjeoekonomike dhe ekspozimin në rritje ndaj inteligjencës artificiale”, tha zëvendëspresidenti i BQE-së, Boris Vujčić, i cili kishte dhënë një paralajmërim të ngjashëm të hënën.
Raporti vjen një ditë pasi Komisioni Europian deklaroi se ekonomia e BE-së e kishte përballuar më mirë se sa pritej goditjen energjetike të shkaktuar nga lufta në Iran. BQE-ja ndan këtë vlerësim, por paralajmëron se optimizmi për inteligjencën artificiale, i cili po ndihmon ekonominë, është kthyer vetë në një burim rreziku.
Jehonë e epokës dotcom
Çmimet e aksioneve mbështeten në “pritshmëri jashtëzakonisht të larta për fitimet” e kompanive të inteligjencës artificiale, të cilat mund të jenë të vështira për t’u përmbushur, thuhet në raport. BQE-ja paralajmëron se modelet më të lira të inteligjencës artificiale mund të dobësojnë pozitën e kompanive që sot kryesojnë tregun.
Meqë shpenzimet për inteligjencën artificiale tashmë tejkalojnë flukset monetare që gjenerojnë aktivitetet e tyre, gjigantët amerikanë të teknologjisë po marrin hua me ritëm rekord dhe gjithnjë e më shumë në euro, duke rritur ekspozimin e investitorëve europianë.
BQE-ja vlerëson se, në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026, kompanitë e mëdha të teknologjisë kishin mbi 4 trilionë dollarë (3,63 trilionë euro) angazhime jashtë bilancit. Këto janë detyrime të ngjashme me borxhin, që nuk regjistrohen në bilanc si detyrime. Ndërkohë, prodhuesit e çipave shpesh financojnë klientët që blejnë çipat e tyre.
Banka qendrore u përmbajt nga cilësimi i hovit të inteligjencës artificiale si flluskë, por tha se kalimi kaq i shpejtë drejt financimit me borxh sjell në mendje si flluskën dotcom, ashtu edhe atë të kredive hipotekare me rrezik të lartë të fillimit të viteve 2000.
Ndërkohë, shuma që pritet të mblidhet nga ofertat publike fillestare në SHBA është në rrugën për të tejkaluar, në raport me madhësinë e ekonomisë, nivelin më të lartë të shënuar në epokën dotcom. Sipas BQE-së, valë të ngjashme listimesh zakonisht kanë ndodhur kur tregjet kanë qenë pranë kulmit.
Sipas raportit, ekspertët e BQE-së vlerësojnë se përmes këtyre ofertave do të mblidhen rreth 212 miliardë dollarë këtë vit, nga rreth 44 miliardë dollarë në vitin 2025.
Ofertës publike fillestare rekord të SpaceX në qershor i takoi vendi i parë. Anthropic, kompania që zhvillon modelet e inteligjencës artificiale Claude, pritet të caktojë çmimin e ofertës publike fillestare dhe të nisë tregtimin e aksioneve në Nasdaq të enjten.
BQE-ja paralajmëroi se listimet e mëdha mund t’ua kalojnë “rrezikun e pamatshëm” blerësve më pak të informuar, përfshirë investitorët individualë.
Borxhi publik nën presion
Gjendja e brishtë e financave publike në ekonomitë e mëdha të zhvilluara mund të shkaktojë gjithashtu një rivlerësim të borxhit publik në tregjet botërore, paralajmëroi BQE-ja. Në disa vende, kostot e huamarrjes afatgjatë kanë arritur nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada, ndërsa shumë qeveri të Eurozonës po paguajnë për huamarrjen kostot më të larta që nga kriza e borxhit e vitit 2012.
Qeveritë e Eurozonës po emetojnë borxh në vëllimin më të lartë që nga pandemia, kryesisht për shkak të shpenzimeve të Gjermanisë për mbrojtjen dhe infrastrukturën.
Me përfundimin e blerjeve të obligacioneve shtetërore nga BQE-ja në kuadër të programeve të saj stimuluese, një pjesë më e madhe e këtij borxhi po blihet nga investitorë të huaj dhe fonde spekulative. Këta investitorë priren të tërhiqen më shpejt gjatë krizave dhe mund të përforcojnë çdo valë shitjesh.
Franca spikat, pasi investitorët kërkojnë kthim më të lartë për të mbuluar rrezikun politik përpara zgjedhjeve të vitit 2027. Kostoja e huamarrjes 10-vjeçare të vendit kaloi 5% në tetor, për herë të parë që nga viti 2002, dhe tani qëndron në 4,85%.
Të martën, Komisioni Europian parashikoi se borxhi publik i BE-së do të rritet nga 82,6% e PBB-së vitin e kaluar në 85,6% në vitin 2028. Deri atëherë, pagesat e interesave pritet të arrijnë në 2,4% të PBB-së.
“Konsolidimi fiskal është vonuar”, deklaroi BQE-ja.
Sipas raportit, bankat janë në gjendje të mirë për të përballuar goditjet. Përfitueshmëria e tyre është në nivelin më të lartë të një dekade, ndërsa kreditë me probleme zbritën në shtator në nivelin rekord të ulët prej 2,2% të totalit.
Cenueshmëria është më e madhe te disa institucione financiare jobankare, si fondet e investimit dhe fondet spekulative, ku mekanizmat mbrojtës janë më pak të zhvilluar. Aksionet e kompanive amerikane të teknologjisë dhe të atyre të lidhura me inteligjencën artificiale përbëjnë tashmë 16% deri në 26% të investimeve në aksione të institucioneve financiare jobankare të Eurozonës.
BQE-ja përmendi rastin e fondit spekulativ amerikan Situational Awareness, i cili në korrik ishte pranë kolapsit. Aktivet nën administrimin e tij ranë nga rreth 45 miliardë dollarë në 10 miliardë dollarë, pasi bastet e tij mbi inteligjencën artificiale, të financuara me hua, rezultuan me humbje.
Goditje të tilla mund të përhapen te bankat, të cilat sigurojnë pothuajse një të pestën e financimit të tyre nga institucionet financiare jobankare. BQE-ja kërkoi forcimin e masave mbrojtëse ndaj rreziqeve që burojnë nga huamarrja dhe mungesa e likuiditetit në këtë sektor, si dhe u bëri thirrje autoriteteve të ruajnë rezervat mbrojtëse të kapitalit të bankave.
Rritja e çmimeve të energjisë mund t’ua vështirësojë familjeve dhe kompanive shlyerjen e kredive. BQE-ja paralajmëroi se pas një goditjeje energjetike mund të duhen vite që kreditë me probleme të grumbullohen.
Gara për pasardhësin e Christine Lagarde
Raporti publikohet ndërsa qeveritë po i afrohen një marrëveshjeje për drejtimin e BQE-së.
Ministria gjermane e Financave tha të martën se synonte që postin e kryeekonomistit ta merrte profesori i Universitetit të Princetonit, Markus Brunnermeier. Sipas raportimeve, në këmbim, Berlini mbështet ish-guvernatorin e Bankës së Spanjës, Pablo Hernández de Cos, për të pasuar Christine Lagarde në krye të BQE-së.
Këto zhvillime japin sinjale të mëtejshme se Franca dhe Gjermania po i afrohen një marrëveshjeje për të mbështetur kandidatin spanjoll, sipas raportimeve të Euronews.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









