
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi kërkoi forcimin e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian për përballimin e sfidave të sigurisë, nga lufta në Ukrainë te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Mesazhin ai e përcolli gjatë Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, të organizuar nga BE-ja në Bruksel më 18 nëntor.
Në fjalën e mbajtur gjatë sesionit plenar mbi sigurinë globale dhe partneritetet ndërkombëtare, Nufi theksoi se angazhimet politike nuk janë të mjaftueshme për të përballuar kërcënimet e sigurisë. “Në një realitet gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, siguria jonë e përbashkët kërkon më shumë se angazhime politike. Ajo kërkon partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe veprim konkret”, deklaroi ministri.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe të një mbrojtjeje evropiane që plotëson NATO-n, ai u ndal edhe te situata në rajon. “Nga agresioni rus kundër Ukrainës te sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, realiteti dëshmon se siguria e vendeve tona është e pandashme”, u shpreh Nufi.
Ministri konfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. “Shqipëria do të vijojë të jetë një aleate e përkushtuar e NATO-s, një mbështetëse e fortë e bashkëpunimit evropian dhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik”, tha ai. Forumi Schuman, i organizuar nga Shërbimi Evropian për Veprimin e Jashtëm, mblodhi në Bruksel përfaqësues nga më shumë se 85 vende partnere, 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të sigurisë.
