Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme konfiskimin e një pasurie të konsiderueshme, me vlerë rreth 9.1 milionë euro, që dyshohet se lidhet me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e narkotikëve.
Kërkesa për konfiskimin e pasurive është depozituar më 17 nëntor 2026, në kuadër të procedimit pasuror nr. 10 të vitit 2025, pjesë e operacionit të koduar “Ura”.
Në total, SPAK kërkon konfiskimin e 24 pasurive të paluajtshme, 3 automjeteve dhe kuotave në disa subjekte tregtare.
Në listën e pasurive të identifikuara janë tre automjete luksoze: një BMW e vitit 2018, një Mercedes-Benz AMG GLE 63 4MATIC i vitit 2017 dhe një BMW X6 e vitit 2021.
Gjithashtu, në shënjestër janë kuotat në katër shoqëri tregtare: “Marquess” sh.p.k., “Felix Vinum” sh.p.k., agjencia e udhëtimit “Dubai im” sh.p.k. dhe shoqëria e televizionit kabllor “Vlora CABLE” sh.p.k., si dhe një person fizik me inicialet “O. Sh.”.
Pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme ndodhet në Durrës dhe përfshin apartamente, njësi tregtare, truall dhe ndërtesë. Në listë janë edhe dy vende parkimi në qytetin e Vlorës.
Ndër pasuritë me sipërfaqe më të mëdha janë një truall prej 282.5 metrash katrorë dhe një ndërtesë prej 248 metrash katrorë në Durrës, si dhe disa prona të tjera me sipërfaqe që variojnë nga dhjetëra deri në mijëra metra katrorë.


