Wednesday / November 18 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Duhani dhe cigaret elektronike, drafti sjell kufizime të reja për shitjen dhe përdorimin

Share Share Icon

Qeveria propozon të ndalojë shitjen online të duhanit dhe produkteve të lidhura me të brenda vendit, si dhe shitjen e cigareve elektronike njëpërdorimëshe. Projektligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produktet e lidhura me to” i nxjerrë për konsultim vendos një kufi prej 4 miligramësh nikotinë për qeskë dhe shtrin ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike edhe te përdorimi i produkteve që çlirojnë aerosol, sipas relacionit shoqërues.

Ndalimi i shitjes online synon të pengojë që produktet t’u shiten ose t’u dorëzohen personave nën 18 vjeç. Relacioni thotë se aktualisht “nuk ekziston një sistem i unifikuar dhe efektiv” për verifikimin e moshës së blerësit gjatë porosisë dhe dorëzimit. Në dyqane, kufiri minimal do të mbetet 18 vjeç dhe shitësi duhet të verifikojë moshën kur ka dyshim të arsyeshëm. Projektligji parashikon kufizime edhe për shitjen ambulante, vetëshërbimin, makinat automatike dhe shërbimin postar.

Për përdorimin, ndalimi do të zbatohet në vendet e punës, institucionet shëndetësore dhe arsimore, transportin publik dhe mjediset e mbyllura tregtare. Ai do të shtrihet edhe në disa hapësira të jashtme, përfshirë këndet e lojërave, zonat sportive dhe rrethinat e institucioneve arsimore e shëndetësore, brenda një distance prej 10 metrash. Drafti forcon gjithashtu kufizimet për reklamat në pikat e shitjes dhe për promovimin me mostra falas, zbritje, kuponë dhe programe besnikërie.

Për cigaret elektronike njëpërdorimëshe, është zgjedhur “opsioni i ndalimit të drejtpërdrejtë”, pasi shqyrtuan edhe kërkesa më të rrepta për riciklim ose kufizime mbi aromat, fuqinë dhe kapacitetin. Relacioni përmend aksesin e lehtë dhe tërheqjen e këtyre produkteve për të rinjtë, si dhe vështirësitë e riciklimit të pajisjeve që përmbajnë plastikë, pjesë elektronike dhe bateri. Sipas studimit për sjelljet shëndetësore të nxënësve në vitet 2021–2022, të cituar në dokument, rreth 20% e 15-vjeçarëve përdornin cigare elektronike.

Projektligji nuk ndalon të gjitha cigaret elektronike. Për produktet që lejohen, prodhuesit dhe importuesit duhet të njoftojnë ministrinë gjashtë muaj përpara se t’i nxjerrin në treg. Përqendrimi i nikotinës në lëng nuk duhet të kalojë 20 miligramë për mililitër dhe paketimi duhet të ketë mbrojtje ndaj hapjes nga fëmijët. Për cigaret tradicionale dhe duhanin për dredhje, paralajmërimet me tekst dhe fotografi do të mbulojnë 65% të sipërfaqeve kryesore të paketimit.

Nëse miratohet, ligji do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit dhe do të zëvendësojë ligjin e vitit 2006. Relacioni parashikon periudha të tjera kalimtare për bizneset dhe produktet që janë tashmë në treg. Nisma është pjesë e një pakete që mbulon 13 akte të Bashkimit Europian për kontrollin e duhanit. Përafrimi i rregullave dhe zbatimi i tyre janë ndër kushtet për mbylljen e negociatave të Kapitullit 28, për mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

QKB, 1,755 biznese të reja në tetor, 16.5% me pjesëmarrje të kapitalit të huaj

Gjatë muajit tetor 2026, në Shqipëri janë regjistruar 1,755 subjekte të reja ekonomike, ndërsa numri i përgjithshëm i aplikimeve të administruara n...

52 minutes më parë 2 Min Lexim

Nafta zbret në 204 lekë për litër

Çmimi tavan i naftës zbret në 204 lekë për litër në pikat e karburantit, sipas vendimit të Bordit të Transparencës të 18 nëntorit. Çmimi maksimal i...

2 hours më parë 1 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!