Kosova pësoi një humbje të rëndë të martën në Dublin ndaj Irlandës, duke humbur mundësinë për t’u renditur e dyta në Grupin B3 të Nations League dhe për të luajtur playoffin për ngjitjen në Ligën A. Një nga faktorët kyç i këtij rezultati ishte kartoni i kuq që mori Kreshnik Hajrizi në minutën e 26, pas një pritjeje me dorë për të ndaluar gjuajtjen e Troy Parrott. Veprimi i tij u krahasua me ndërhyrjen e bërë nga Luis Suarez në Botërorin e 2010.
Një ditë pas ndeshjes, Hajrizi reagoi në rrjetet sociale, shprehu zhgënjimin për humbjen, pranoi përgjegjësinë për veprimin e tij dhe kërkoi falje publike. Në postimin e tij ai shkruante: ‘Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime. Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër. Të gjithë tifozëve Dardanë që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që brohoritën, shpresuan dhe mbështetën ekipin tonë, si dhe çdo personi që e mban Kosovën në zemër, ju kërkoj falje. Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë!. Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë’
Lajmi për kartonin e kuq dhe reagimin e Hajrizit pas ndeshjes u bë pjesë e diskutimeve në lidhje me rezultatet e Kosovës në fazën e grupeve të Nations League dhe mundësitë për ngjitje në një rang më të lartë të kompeticionit.
