Sërish për një penallti, Tunizia kërkoi të imitojë Senegalin dhe tentoi bojkotin e ndeshjes me Libinë
Kosova pësoi një humbje të rëndë në mbrëmjen e së martës ndaj Irlandës në Dublin duke humbur shansin për t’u renditur në vendin e dytë në Grupin B3 të Nations League që do ta çonte atë të luante playoffin për ngjitjen në Ligën A të kompeticionit.
Një faktor jo i vogël i kësaj humbjeje ishte edhe kartoni i kuq i marrë nga Kreshnik Hajrizi në minutën e 26 pasi bëri një pritje si një portier i vërtetë për të ndalur gjuajtjen e Troy Parrott, një lëvizje që të kujton lëvizjen e bërë nga Luis Suarez në Botërorin e 2010.
Një ditë pas ndeshjes, vetë futbollisti reagoi dhe përmes një mesazhi në rrjetet sociale përveçse shprehu zhgënjimin e tij për humbjen, mori përsipër përgjegjësinë dhe kërkoi ndjesë publike për veprimin e tij.
‘Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime. Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër. Të gjithë tifozëve Dardanë që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që brohoritën, shpresuan dhe mbështetën ekipin tonë, si dhe çdo personi që e mban Kosovën në zemër, ju kërkoj falje. Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë!. Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë’-shkruante Hajrizi në postimin e tij.
Top Channel