Objektet e konfiskuara për shkelje të lejes, ligji hap rrugën për legalizimin e njësive të blerësve

Blerësit dhe porositësit e apartamenteve apo njësive të tjera në objekte të konfiskuara për shkelje të lejes së ndërtimit mund t’i legalizojnë dhe t’i regjistrojnë njësitë e tyre nëse plotësojnë disa kushte. Sipas dy ligjeve të botuara më në Fletoren Zyrtare , procedura vlen kur punimet në strukturë kanë përfunduar, blerësit ose porositësit e posedojnë apo e përdorin njësinë dhe kanë lidhur kontratë me investitorin ose zhvilluesin përpara noterit.
Ligji nr. 121/2026 ia ngarkon verifikimin një grupi pune. Dispozita kërkon që grupi të konstatojë se “janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë” dhe se njësitë posedohen ose përdoren nga palët e treta që kanë “kontratë të hartuar përpara noterit” me investitorin ose zhvilluesin . Kur plotësohen këto kushte, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara i kërkon Kadastrës të vijojë me legalizimin. Regjistrimi bëhet sipas ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Procedura nuk i jep automatikisht të drejtën e regjistrimit çdo blerësi në një objekt të sekuestruar.
Për objektet e konfiskuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit, ruhet e drejta e parablerjes për subjektet që e kanë fituar sipas ligjit të kohës. Agjencia duhet t’i njoftojë ato pas regjistrimit të objektit ose të sipërfaqes së konfiskuar. Zhvilluesit që e kanë ushtruar tashmë këtë të drejtë dhe kanë lidhur marrëveshje me ministrinë përgjegjëse mund të vijojnë me aplikimin për leje ndërtimi ose certifikatë përdorimi. Kjo është një procedurë më vete nga legalizimi i njësive të blerësve dhe porositësve.
Ligji nr. 122/2026 zgjeron administrimin edhe te pasuritë e sekuestruara ose të konfiskuara nga organet administrative qendrore dhe vendore, krahas atyre të marra nga organet e drejtësisë. Për objektet e konfiskuara si ndërtime pa leje, ai i referohet ligjit të posaçëm dhe parashikon një fond për veprimtarinë ose zhvillimin e objekteve që i kanë kaluar agjencisë. Shpenzimet për pasuritë e konfiskuara do të ndjekin rregullat e prokurimit publik, ndërsa shpenzimet për administrimin e pasurive nën sekuestro do të mbështeten në studim tregu. Të dy ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit ne QBZ.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









