Shënimi “PP” në pasaportat e reja shqiptare ka shkaktuar pikëpyetje dhe  dyshime në publik për gabime në printim. Por çfarë do të thotë ky kod dhe a ka problem me dokumentet e lëshuara? IdentiTek, kompania shtetërore përgjegjëse për prodhimin dhe personalizimin e dokumenteve biometrike në Shqipëri, sqaroi sotse bëhet fjalë për një ndryshim të detyrueshëm sipas standardeve ndërkombëtare, i zbatuar prej dhjetorit 2025.

Sipas kompanisë, ndryshimi është bërë në zbatim të kërkesave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), e cila në mars 2024 miratoi standarde të përditësuara për dokumentet e udhëtimit të lexueshme nga makinat.

Konkretisht, në pasaportat e zakonshme kodi i mëparshëm “P” është zëvendësuar me “PP”, ndërsa në pasaportat e shërbimit “PS” është zëvendësuar me “PO”. Shkronja e parë identifikon pasaportën, ndërsa e dyta përcakton kategorinë e dokumentit.

Sipas IdentiTek, Shqipëria e ka zbatuar këtë ndryshim që prej dhjetorit 2025, përpara afatit të përcaktuar nga ICAO, më 1 janar 2026. Deri tani janë prodhuar mbi 300 mijë pasaporta me kodet e reja.

Kompania sqaron gjithashtu se Shqipëria është pjesë e Drejtorisë Publike të Çelësave të ICAO-s (PKD) që prej marsit 2025. Ky sistem mundëson verifikimin elektronik të autenticitetit të pasaportave biometrike dhe të të dhënave të ruajtura në çip, duke ndihmuar në parandalimin e falsifikimit të dokumenteve.

IdentiTek thekson se shënimi “PP” nuk përbën gabim printimi dhe nuk cenon vlefshmërinë e pasaportave.

Ndërkohë, sipas urdhrit të firmosur nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo,  tarifat e pajisjes me dokumente identifikimi do të ulen nga 1 janari 2027 për disa kategori qytetarësh,

Pasaporta për fëmijët nën 16 vjeç dhe personat me aftësi të kufizuara do të kushtojë 6 mijë lekë, nga 7 500 lekë aktualisht. Për personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit do të ulet nga 1 500 në 1 000 lekë.