
Cardinale njoftoi javën e kaluar krijimin e një kompanie të re, Milan Sports & Entertainment (MSE), me qëllim rritjen e ndjeshme të të ardhurave të klubit të Milanit. Sipas tij, në skenarin më optimist të ardhurat mund të kalojnë shifrën një miliard dollarësh. Kompania përfaqëson një nismë të paprecedentë për një klub futbolli dhe shënon një evolucion në strategjinë e fondit “RedBird Capital”.
Ky i fundit synon të bashkojë investime dhe aktivitete nga sektorë të ndryshëm nën një ombrellë të vetme financiare, nga objektet sportive te ngjarjet live si koncertet dhe panairet. Kjo, sipas Cardinale, do të zgjerojë burimet e të ardhurave dhe do të forcojë indirekt financat e Milanit.
Në intervista për “Financial Times” dhe “Financial Times”, ai ka theksuar se këto asete mund të çojnë në një vlerësim prej disa miliardë dollarësh. “Milan Sports & Entertainment është kulmi i kësaj pune dhe i asaj që kemi ndërtuar që kur investuam për herë të parë në klub, katër vite më parë.
Qëllimi kryesor pas nismave të tilla është t’i ofrojmë Milan-it fuqinë financiare të nevojshme për të konkurruar në tregun e transferimeve dhe për të siguruar lojtarët më të mirë në botë”, është shprehur ai. Sipas “Gazzetta dello Sport”, asetet e MSE-së do të përfshijnë stadiumin “Generali”, një arenë në San Donato, “NBA Europe” dhe tenisin.
Stadiumi “Generali”, të cilin Milan do ta ndërtojë së bashku me Inter, do të shërbejë si bazë për fazën e parë të rritjes. Të dy klubet planifikojnë ta mbajnë atë funksional 365 ditë në vit, duke organizuar evente në ditët kur, përndryshe, stadiumi do të qëndronte i pashfrytëzuar.
Milan ka plane edhe për tokën që ka blerë në San Donato Milanese, ku fillimisht synonte të ndërtonte stadiumin e ri. Aktualisht është duke u zhvilluar një projekt për ndërtimin e një arene me kapacitet prej 20,000 vendesh në atë zonë. Ajo do t’i shërbejë klubit, të cilin RedBird dëshiron ta përfshijë në “NBA Europe”, si dhe do të presë koncerte të tjera dhe evente private.
Cardinale dëshiron gjithashtu të organizojë një turne tenisi të nivelit të lartë në Milano, ose të përpiqet t’i marrë “ATP Finals” nga Torino, ku aktualisht po zhvillohet edicioni i vitit 2026. Modeli i biznesit ngjan me atë të kompanive të mëdha amerikane, si “Kroenke Sports & Entertainment”, “AEG” dhe “Fenway Sports Group”.
Me një vlerë që varion nga 10 deri në 25 miliardë dollarë, këto kompani ndërthurin sportin, median, argëtimin, shërbimet e ushqimit, aktivitetet tregtare dhe pasuritë e paluajtshme infrastrukturore. Milan e mbylli vitin e fundit financiar me të ardhura prej 464,6 milionë eurosh dhe Cardinale synon të ndërtojë më tej mbi këtë bazë.
“Generali” pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga sponsorizimet. Stadiumi i ri do të gjenerojë gjithashtu të ardhura nga shërbimet e mikpritjes (hospitality) dhe shitja e biletave. Barcelona dhe Real Madridi pritet të përfitojnë rreth 350 milionë gjatë 15–20 viteve të ardhshme nga partnerët tregtarë për personalizimin e hapësirave VIP. Arena në San Donato mund të sjellë të ardhura edhe nga basketbolli i NBA-së, koncertet dhe tenisi.
