Aktualitet

“Kemi probleme me rindërtimin në Tiranë, ka dy vite pa kokë”, Rama për taksat ndaj vilave dhe apartamenteve bosh: Këtu ka ulëritës që bëjnë lekë me pallate pa leje

Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvend për politikat e strehimit dhe tregun e pasurive të paluajtshme, duke thënë se ndërtimin e kullave dhe kontributin e tyre në fondin e strehimit social.

“Se këtu ka edhe ulëritës profesionistë që bëjnë lekë në pallate pa leje dhe natyrisht që ne nuk do ta bëjmë këtë duke luftuar tregun e pasurive të paluajtshme. Nuk do ta bëjmë këtë duke penguar ndërtimin, duke anatemuar kullat sepse është e rëndësishme që njerëzit ta dëgjojnë, ta kuptojnë, ta mësojnë se çfarë ka në ato kulla për ta, se çfarë vjen nga ndërtimi i atyre kullave për fondin e strehimit. Njerëzit duhet ta dinë që nga taksat e atyre kullave përfitimi është shumë i lartë dhe shkon për qytetin, ndërkohë që 3% e atyre kullave shkojnë pikërisht për strehimin social dhe të përballueshëm.

Dhe në ndërkohë fillojmë nga pikërisht buxheti pa llogaritur çfarë vjen me ligjin e ri të strehimit ku janë 1000 familje që përfshihen në skemat e kreditimit të lehtësuar dhe janë 2000 familje të tjera që mbështeten me subvencionimin e qerasë në tregun e lirë, ndërkohë që 7000 familje të tjera, pra në total janë 10 000 familje që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin”, tha Rama.

Rama foli edhe për problemet në Bashkinë e Tiranës lidhur me rindërtimin, teksa tha se kjo vjen për shkak se prej dy vitesh kjo bashki është “pa kokë”.

“Nëse ka një proces rindërtimi të suksesshëm, për të qenë krenar, duke marrë parasysh se çfarë ka ndodhur pas tërmeteve në vende shumë më të zhvilluara se yni është procesi i rindërtimit në Shqipëri, por patjetër që ne kemi një problem. Kemi një problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës. Kemi një problem sepse Bashkia e Tiranës ka dy vjet pa kokë. Kemi një problem sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe të rindërtimit nuk është vënë në lëvizje.

Në ndërkohë që nga ana tjetër ne do të përfshijmë në këtë politikë të re edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndërtohet nga vetë Fondi i Strehimit. Kështu që nuk mund të kemi një realitet ku apartamentet mbahen bosh si depo pasurie, ndërkohë që për shumë familje të reja qiraja bëhet e lartë dhe prandaj në paketën e sotme fiskale ka dhe një propozim tjetër, për të rritur taksën për apartamentet që mbahen bosh dhe natyrisht duke pasur parasysh në radhë të parë ata që janë blerës të huaj.

Nga ana tjetër regjimi i ri i taksimit për apartamentet e mbajtura bosh që nuk hidhen në tregun e qirave, nuk është një qasje agresive ndaj pronës dhe të drejtës së njerëzve për ta administruar pronën e tyre si të duan, as për t’i ndëshkuar ata që investojnë, por për të nxitur një përdorim produktiv në aspektin social të stokut të banesave dhe për të ndihmuar që tregu i qirave të ketë një ofertë më të gjerë dhe sigurisht kjo shkon në të njëjtën logjikë me trajtimin e diferencuar të pronave të luksit, përfshirë vilat në bregdet apo përfshirë dhe konsumin e ujit të pishinave. Është koha që të ndahen kategoritë. Apartamentet e dyta janë një gjë, vilat në bregdet janë një gjë tjetër.

Në ndërkohë e njëjta gjë vlen edhe për makinat e luksit. Ashtu si kundër për ne mbetet shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë më shumë mundësi ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, jo vetëm duke gjetur një punë, por duke mos pasur frikë të krijojnë një familje për shkak se kanë pamundësinë për të pasur një strehë dhe në drejtim të familjes ne kemi ndryshuar një tjetër politikë tonën duke propozuar që nga bonusi i bebeve, prej 1 korrikut të vitit të ardhshëm, familjet të marrin një mbështetje të shtrirë në kohë deri kur fëmija mbush moshën pesë vjeç sepse në këtë mënyrë ne i gjendemi pranë familjeve të reja dhe ndihmojmë për të lehtësuar barrën e tyre në raport me mirë rritjen e foshnjave.

Nga ana tjetër, e kemi marrë këtë zotim dhe është i sanksionuar në këtë projekt të ri të qeverisë, dyfishimi për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe mbulimi i kontributeve shoqërore për gjithë kujdestarët e tyre. Sepse kujdesi për një fëmijë me aftësi të kufizuar është një punë e përditshme, është një punë e jashtëzakonshme, që nuk mund ta lëmë në supet e prindit pa mbrojtje për të ardhmen e vet. Nga ana tjetër, në vazhdim të gjithë kësaj qasjeje që lidhet me koston e jetesës, projekti ka një propozim të rëndësishëm për studentët që vijnë nga familjet në nevojë.

Bursa e tyre do të rritet nga 10.000 në 25.000 lekë të reja në muaj dhe do të shtrihet edhe në ciklin e masterit. Kjo do t’ua lehtësojë edhe marrjen pjesë në ato grupet që bëhen bashkë të studentëve për të marrë me qira shtëpi në Tiranë. Edhe këto nuk janë gjëra që ne nuk kishim dashur t’i bënim më parë, i kemi bërë më pak, edhe bonusin dhe bursën dhe mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe.. dhe.. dhe. Këto janë gjëra që sot shtohen sepse ekonomia rritet”, tha Rama.