Ish-kryebashkiaku socialist i Memaliajt, Gjolek Guci, është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), pasi u shpall fajtor për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, në bashkëpunim.

Vendimi u dha këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e përbërë nga Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri.

Fillimisht, Guci u dënua me 2 vite burg, por përfitoi uljen me një të tretën e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burg. Gjykata i hoqi gjithashtu të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Për të njëjtën vepër penale, GJKKO shpalli fajtore edhe Edmonda Harizin, e cila u dënua fillimisht me 1 vit burg. Pas uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ajo u dënua përfundimisht me 8 muaj burg. Edhe Harizit iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.