SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme konfiskimin e një grupi pasurish me vlerë mbi 9 milionë euro, të vendosura në Durrës dhe Vlorë nën dyshimet se janë produkt i veprimtarisë kriminale. Prokuroria e Posaçme thotë në njoftim se ka dokumentuar veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal në trafikimin e narkotikëve, kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale në kuadër të Operacionit “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim me antimafian italiane. Nga ekspertimet rezultoi se pasuritë e regjistruara në emër të subjekteve në hetim, familjarëve të tyre dhe personave të lidhur me ta, thotë SPAK, nuk justifikoheshin nga burimet e ligjshme të të ardhurave.