Projektbuxheti dhe paketa fiskale 2027 për Kryeministrin Rama përjetëson atë që shoqëria shqiptare kërkon, si kudo në Evropë, uljen e kostos së jetesës.

Buxheti i vitit 2027, sipas kryeministrit Edi Rama, rishpërndan të ardhurat në mënyrë më të drejtë, lehtëson barrën fiskale për shtresën e mesme dhe mbështet kategoritë në nevojë. Rritja ekonomike, tha Rama, i mundëson qeverisë të ndajë 20 miliardë lekë për të dyfishuar nga 1 janari rritjen e pensioneve.

"Kjo do të arrihet duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe mbështetjen për janë më në nevojë, vendime të cilat vijnë në një kohë kur ekonomia ia lejon.

Dëshirën për t’i rritur më shumë pensionet, për t’i mbështetur më fort familjet e reja, për t’i dhënë më shumë mundësi atyre që duan ta ndërtojnë jetën këtu e kemi pasur qysh në krye të herës, por nuk janë dëshirat që e mbushin arkën e shtetit. Ekonomia është një fuqi që duhet tua bëjë jetën më të mirë njerëzve të vendit ku ajo fuqi rritet dhe pikërisht ky është thelbi i buxhetit 2027”, tha Rama.

Çmime më të lira për 54 ushqimet bazë prej uljes së TVSH në 6%, kërkon sipas kreut të qeverisë edhe rritjen e normës standarde me 1% dhe arsyeja është kjo.

“Ne jemi partia që mendon në radhë të parë për ata që fitojnë më pak dhe ne besojmë shumë që kush fiton më shumë duhet të kontribuojë më shumë në mënyrë që ata që fitojnë më pak të mos kenë më pak”, vijoi Rama.

Kjo shpjegon edhe masat e tjera në tatime, si rritja e dividentit nga 8% në 15%, tavani i rritur i tatimit mbi pagën për 32 mijë profesionistë të shtresës së mesme apo edhe rritja në 30% e tatimit për pagat mbi 700.000 lekë Për pensionistët vëmendja është më e veçantë.
“Nga 1 janari, të dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe t'i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës. 20 miliardë ose rreth 200 milion euro në këtë buxhet që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët. Është e domosdoshme që ne të mbetemi deri në fund besnikë të kësaj kategorie, duke bërë gjithçka që çfarë nxjerr ekonomia të rishpërndahet në mënyrë sa më të drejtë”, u shpreh kryeministri.

Në parlament kalon edhe një ligj i ri për strehimin. Për Ramën ky është një lajm i madh për të rinjtë e Shqipërisë.

“Një ligj ku ne nuk flasim vetëm për strehimin social, por edhe për strehimin e përballueshëm, nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër por edhe ata që janë të rinj, sepse ne nuk mund ta pranojmë si një normalitet të pandryshueshëm që një çift i ri ku të dy punojnë, të dy kontribuojnë me taksat e tyre nga puna, të dy përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta ketë gjithnjë më të vështirë të sigurojë një çati mbi kokë. Këtë ne nuk mund ta pranojmë”, vijoi kryeministri.

Lidhur me këtë një mesazh e kishte edhe për të gjithë ata që kullat e Tiranës i anatemojnë.

“Njerëzit duhet ta dinë që nga taksat e atyre kullave përfitimi është shumë i lartë dhe shkon për qytetin, ndërkohë që 3% e atyre kullave shkojnë pikërisht për strehimin social dhe të përballueshëm”, theksoi Rama.

Programi i ri i strehimit synon që të përfitojnë 7000 familje gjithsej, nga kredia 0-3% te subvencionimi i qirave. Për çmimin e qirave Rama tha se do të ndikojë edhe taksimi i shtëpive bosh, ku kryesisht preken të huajt.