Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2027, duke renditur tre shtyllat kryesore ku mbështetet plani financiar i qeverisë: mirëqenia sociale, stabiliteti fiskal dhe financat publike të qëndrueshme, si dhe investimet, reformat dhe proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Duke e cilësuar projektbuxhetin si historik, Malaj deklaroi se shpenzimet publike për vitin e ardhshëm do të kalojnë 10 miliardë euro, ndërsa mbështetja financiare do të rritet në sektorët me rëndësi për qytetarët, përfshirë mbrojtjen sociale, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, mbrojtjen dhe sigurinë.
Ministri bëri të ditur se parashikohet dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, financim shtesë për kërkimin shkencor, rritje e mbështetjes për bujqësinë dhe paga më të larta për punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Një buxhet historik me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, të parashikuara përgjatë vitit të ardhshëm. Kemi më shumë mbështetje për bujqësinë, për arsimin, për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ky projektbuxhet qëndron mbi tri shtylla të forta. E para ka të bëjë me mirëqenien sociale, e dyta me stabilitetin fiskal dhe financat publike të qëndrueshme, e treta me investimet, reformat dhe proceset integruese në BE”, deklaroi Malaj.
Sipas parashikimeve të paraqitura nga ministri, ekonomia pritet të rritet me 4%. Ndërkohë, papunësia në tremujorin e dytë ka zbritur në 8.3%, niveli më i ulët historik, ndërsa paga mesatare ka arritur në 967 euro, ose 9.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritje pagash për 8 500 punonjës të Policisë
Një nga ndryshimet e njoftuara lidhet me pagat në strukturat e Policisë së Shtetit. Për rreth 8 500 punonjës parashikohet rritje e pagës bazë me 20 mijë lekë të reja, ose 200 mijë lekë të vjetra.
Për kategoritë e tjera të strukturës së pagave, shtesat do të variojnë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë të reja, në varësi të gradës.
“Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këto arsye, buxheti 2027 siguron fondet e nevojshme për forcimin e këtyre sektorëve dhe rritjen e pagave të policëve. Për 8 500 punonjës do të rritet paga bazë me 200 mijë lekë të vjetra ose 20 mijë lekë të reja. Kategoritë e tjera brenda piramidës së pagave në strukturën e Policisë do të përfitojnë shtesë pagash nga 10 mijë lekë të reja deri në 15 mijë lekë të reja, në varësi të gradave që ata kanë”, u shpreh ministri.
Më shumë mbështetje për bujqësinë dhe mbrojtjen
Bujqësia mbetet një tjetër sektor prioritar, me një buxhet të parashikuar prej 17.9 miliardë lekësh. Qeveria synon të zgjerojë numrin e përfituesve, ndërsa për vitin 2027 është parashikuar mbështetje për 43 660 fermerë.
Ndërkohë, shpenzimet për mbrojtjen pritet të arrijnë në 2.35%.
Malaj theksoi gjithashtu se kërkimi shkencor do të përfitojë financim shtesë, ndërsa shëndetësia do të vijojë të jetë një nga prioritetet e financimit publik, me synimin për përmirësimin e aksesit në shërbime për pacientët.
“Do të ketë financim shtesë për kërkimin shkencor. Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin e shërbimeve dhe për të përmirësuar aksesin për pacientët”, tha ai.
Paketa fiskale 2027
Sa i përket paketës fiskale, ministri bëri të ditur se ajo përbëhet nga pesë projektligje dhe synon lehtësimin e barrës për individët, vendosjen e barazisë fiskale dhe një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave.
Një prej ndryshimeve të parashikuara është zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e automjeteve.
“Paketa fiskale 2027 përbëhet nga pesë projektligje. Ajo synon të lehtësojë barrën për individët, duke vendosur barazi fiskale, duke garantuar një barazi më të drejtë të të ardhurave. Pjesë e paketës është edhe zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit.
Ky projektbuxhet dhe kjo paketë fiskale mbështeten në një parim të thjeshtë: drejtësia sociale dhe qëndrueshmëria fiskale nuk janë kundërshtare të njëra-tjetrës. Përkundrazi, ato janë kushtet që e bëjnë zhvillimin ekonomik të vendit më të qëndrueshëm”, përfundoi Malaj.
