Tenderi 4.1 mln euro, GJKKO dënon me 1 vit e 4 muaj burg ish-kryebashkiakun e Memaliajt, Gjolek Guci

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg ish-kryetarin e Bashkisë së Memaliajt, Gjolek Guci, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Fillimisht, Guci është dënuar me 2 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare e dënimit është ulur në 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Gjithashtu, GJKKO i ka hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Me të njëjtën akuzë është shpallur fajtore edhe Edmonda Harizi, e cila është dënuar fillimisht me 1 vit burg. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 8 muaj burg. Edhe asaj i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Çështja lidhet me shkeljet e konstatuara nga Prokuroria e Posaçme në një procedurë prokurimi për ndërtimin e ujësjellësit në tetë fshatra të Memaliajt.
Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar në vitin 2021, me fond limit rreth 4.1 milionë euro dhe kohëzgjatje kontrate 24 muaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



