Sonda hapësinore Voyager 1 e NASA-s ka shënuar një moment historik, duke u bërë objekti i parë i ndërtuar nga njeriu që ndodhet në një distancë prej një dite drite nga Toka, përkatësisht rreth 25.9 miliardë kilometra larg saj.

Sipas përllogaritjeve të NASA-s, Voyager 1 e kaloi këtë kufi në orën 11:16:07 sipas kohës së Evropës Qendrore, pas më shumë se 49 vjetësh udhëtim në hapësirë.


Drita e përshkon këtë distancë për 24 orë, ndërsa sondës, e cila lëviz me një shpejtësi prej rreth 61 mijë kilometrash në orë, iu deshën pothuajse pesë dekada për ta arritur atë, shkruan yahoo.

Në momentin e kalimit të këtij kufiri, Voyager 1 nuk pësoi asnjë ndryshim dhe vazhdoi funksionimin normal. Në atë kohë, ajo ishte në komunikim me stacionin e rrjetit Deep Space Network të NASA-s në Madrid, një nga tri lokacionet me antena të mëdha për komunikimin me misionet në hapësirën e thellë.

Që nga ky moment, çdo komandë që inxhinierët e Laboratorit të Propulsionit Reaktiv (JPL) në Pasadena ia dërgojnë sondës, udhëton për plot 24 orë deri te ajo, ndërsa përgjigjja kërkon edhe 24 orë të tjera për t'u kthyer në Tokë. Kjo do të thotë se një mesazh i dërguar sot do të marrë përgjigje vetëm pas dy ditësh.

Një festë për Voyager-in

NASA e shënoi këtë arritje me iniciativën "Shine Bright for Voyager’s Light-Day". Të martën në mbrëmje, njerëz nga e gjithë bota përdorën telefonat dhe llambat e dorës për të dërguar me alfabetin Morse shkronjat "VGR", shenjën identifikuese të sondës.

Një nga tubimet u organizua në Caltech, në Pasadena, ku ndodhet edhe një pjesë e laboratorit JPL.

Jeffrey Hayes, shkencëtar në departamentet e astrofizikës dhe heliofizikës të NASA-s, kishte deklaruar në fillim të këtij muaji se kjo arritje shënon fillimin e një viti festimesh në prag të 50-vjetorit të misionit, i cili do të shënohet në shtator të vitit 2027.

Të enjten, në orën 18:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, JPL do të organizojë një diskutim me anëtarët e ekipit dhe drejtuesit e NASA-s lidhur me gjendjen e të dy sondave dhe të dhënat shkencore që ato vazhdojnë të mbledhin. Transmetimi do të jetë i disponueshëm në faqen NASA Live.

E vetmja sondë që mat drejtpërdrejt hapësirën përtej heliosferës

Voyager 1 hyri në histori edhe në vitin 2012, kur u bë sonda e parë që arriti në hapësirën ndëryjore. Së bashku me sondën e saj binjake, Voyager 2, ajo është e vetmja që mat drejtpërdrejt mjedisin përtej heliosferës – një zonë e përbërë nga grimcat dhe fushat magnetike të krijuara nga Dielli.

Të dyja sondat fillimisht kishin nga 470 vat energji të siguruar nga gjeneratorët radioizotopikë. Megjithatë, çdo vit humbin rreth katër vat fuqi, për çka ekipi i NASA-s po i çaktivizon gradualisht instrumentet që nuk janë të domosdoshme për funksionimin e tyre.

Voyager 2, e cila aktualisht ndodhet rreth 21.7 miliardë kilometra larg Tokës, pritet ta arrijë distancën prej një dite drite në vitin 2035.

Sipas vlerësimeve të NASA-s, Voyager 1 do të ketë nevojë edhe për rreth 18 mijë vjet për të përshkuar distancën e një viti drite.

Pas rreth 40 mijë vjetësh, ajo do të kalojë në një distancë prej 1.7 vitesh drite nga ylli Gliese 445, në yjësinë Arusha e Vogël. Megjithatë, deri atëherë sonda do të ketë mbetur prej kohësh pa energji për të funksionuar. /Telegrafi/