Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka paralajmëruar se bumi global i investimeve në inteligjencën artificiale, i financuar përmes borxhit, po shfaq ngjashmëri me flluskën e kredive hipotekare që shkaktoi krizën financiare të vitit 2008.

Në raportin e fundit për stabilitetin financiar, BQE vlerëson se angazhimet financiare jashtë bilanceve të gjigantëve të teknologjisë kanë kaluar 4 trilionë dollarë në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Shqetësimi lidhet me mungesën e transparencës mbi borxhet dhe marrëveshjet financiare mes kompanive të teknologjisë, prodhuesve të çipave dhe ofruesve të shërbimeve cloud.

Banka paralajmëron se, nëse bumi i inteligjencës artificiale financohet përtej mundësive reale të tregut, mund të shkaktojë mbikapacitet, keqshpërndarje të kapitalit dhe humbje për investitorët.

“Edhe nëse inteligjenca artificiale si teknologji e transformon me sukses ekonominë globale, bumi i inteligjencës artificiale i nxitur nga kreditimi mund të rezultojë në mbikapacitet, keqshpërndarje të kapitalit dhe humbje krediti për investitorët”- paralajmëroi  BQE.

BQE ngre shqetësime edhe për situatën e borxhit në Francë.

Kostot e huamarrjes së vendit kanë kaluar përkohësisht 5%, ndërsa diferenca mes interesave të obligacioneve franceze dhe gjermane ka arritur në 1.75 pikë përqindjeje, niveli më i lartë që prej krizës së Eurozonës në vitin 2011.