Vrasja në Suharekë, 60-vjeçari u qëllua në një qendër tregtare në sy të gruas dhe vajzës së mitur
Prokuroria Themelore në Prizren - Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se sot, me datë 18.11.2026 rreth orës 12:03 min në Suharekë, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e krim-teknikës me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes.
"Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML", thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftim, bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari Rr.H., dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje të çastit dhe në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës, ka privuar nga jeta personin me inicialet S.D., duke qëlluar me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
"Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari Rr.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale "Vrasja e rëndë" nga neni 173 dhe 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve' nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit", thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. /Telegrafi/





























