
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën përfundimin e hetimit pasuror ndaj 24 të pandehurve të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës me bazë në Durrës, mes të cilëve dhe Elvis Doçi, i njohur ndryshe dhe si “Visi i Pojës”.
SPAK ka dërguar në gjykatë kërkesën për konfiskimin e pasurive të evidentuara gjatë hetimit, të cilat u përkasin anëtarëve të kësaj organizate dhe personave të lidhur me ta. Në njoftim bëhet me dije se vlera totale e pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi është rreth 9.1 milionë euro, përllogaritur sipas çmimit aktual të tregut.
Prokuroria kërkon konfiskimin e 24 pasurive të paluajtshme, konkretisht 13 apartamente në Durrës me sipërfaqe totale 1246 m2; dy njësi në Durrës me sipërfaqe të përgjithshme 903 m2; truall me sipërfaqe 282.5 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 248 m2 të ndodhura në Durrës; gjashtë ngastra toke me sipërfaqe totale 8090 m2; dy vendparkime në Vlorë; kuota në shoqëritë tregtare “Marquess” sh.p.k.; “Felix Vinum” sh.p.k., të agjencisë së udhëtimit “Dubai im” sh.p.k.; shoqërisë TV-kabllor “Vlora CABLE”, sh.p.k., të një personi fizik; si dhe tri automjete. Në njoftim evidentohet se procedimi pasuror është ndarë me qëllim vijimin e hetimeve ndaj subjekteve dhe pasurive të tjera.
Më 12 maj, prokuroria njoftoi përfundimin e hetimeve për Elvis Doçin, i akuzuar si një nga drejtuesit e organizatës. Doçi i shpëtoi arrestimit gjatë operacionit të zhvilluar një vit e gjysmë më parë. Gjatë një konference për shtyp më datë 21 maj 2025, ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani e cilësoi këtë organizatë të trafikut të drogës, si një ndër më kryesoret e më të rrezikshmet në vend.
Tre të pandehurit Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili, akuzohen për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Për trafik narkotikësh në bashkëpunim dhe grup i strukturuar kriminal akuzohen edhe të pandehurit Artan Sulejmani, Nexhmedin Danaj, Orges Molla, Sueld Elezi, Genti Nderjaku alias Ekil Nderjaku, Hasan Nderjaku, Altin Morina, Emri Hysenaj, Artur Shkoza, Sokol Isteri alias Tatani, Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori, Ledio Bardhi dhe Juxhin Drazhi. Ndërsa shtatë të pandehurit Erind Lasku, Musa Korça, Alfred Hysa, Ligor Çombashi, Rando Aliu, Altin Pjetri dhe Edmond Çupi akuzohen për pastrim parash, si dhe pjesë e organizatës kriminale.
Hetimi ndaj kësaj organizate kriminale është filluar në vitin 2019 nga një skuadër e përbashkët hetimore me Prokurorinë Antimafia në Bari të Italisë. Nga hetimet janë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës në Itali dhe 10 raste të tjera në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës. Për të realizuar këtë hetim, janë përdorur edhe të dhënat nga aplikacionet SKY ECC.






