EMANTE, 20 vite zhvillim, investime dhe zgjerim ndërkombëtar

Në një treg gjithnjë e më konkurrues, EMANTE shënon 20 vite aktivitet, duke konsoliduar pozicionin e saj në industrinë prodhuese shqiptare.
Dy dekada investimesh, zhvillimi dhe përshtatjeje me kërkesat e tregut kanë shoqëruar zgjerimin e kompanisë, nga prodhimi i paneleve sanduiç te ndërtesat modulare dhe strukturat fotovoltaike. Sot, me produkte të pranishme në mbi 25 tregje, EMANTE vijon të forcojë praninë e saj ndërkombëtare.
Strategjia e zhvillimit të EMANTE mbështetet në investime të vazhdueshme në teknologji, modernizimin e kapaciteteve prodhuese dhe diversifikimin e portofolit të produkteve.
Përmes përmirësimit të proceseve dhe rritjes së efikasitetit operacional, kompania synon të forcojë konkurrueshmërinë dhe t’u përgjigjet standardeve gjithnjë e më të larta të tregjeve ndërkombëtare.
Krahas zhvillimit industrial, EMANTE i kushton rëndësi të veçantë qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë mjedisore. Investimet në energjinë e rinovueshme, optimizimin e konsumit energjetik dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative pasqyrojnë vizionin afatgjatë të kompanisë për një industri më efikase, moderne dhe të qëndrueshme.
Zgjerimi në tregje të reja dhe forcimi i partneriteteve ndërkombëtare mbeten prioritete strategjike. Në këtë kuadër, pjesëmarrja e vazhdueshme në panaire ndërkombëtare përbën një platformë të rëndësishme për promovimin e produkteve dhe krijimin e mundësive të reja të biznesit.
Një ndër pjesëmarrjet më të fundit ishte Build Expo Greece 2026, në Athinë, ku EMANTE prezantoi tri linjat kryesore të aktivitetit të saj, duke forcuar kontaktet me partnerë ekzistues dhe potencialë.
Në themel të këtij rrugëtimi qëndrojnë njerëzit. Për EMANTE, investimi në kapitalin njerëzor është po aq i rëndësishëm sa investimi në teknologji dhe kapacitete prodhuese.
Trajnimi, kualifikimi profesional dhe krijimi i një mjedisi pune që mbështet zhvillimin dhe bashkëpunimin mbeten prioritete të vazhdueshme.
Rimarrja e certifikimit ndërkombëtar Great Place to Work përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm të kulturës organizative të kompanisë, duke e mbyllur këtë 20-vjetor me një mesazh të qartë: zhvillimi i qëndrueshëm ndërtohet mbi teknologjinë, vizionin dhe, mbi të gjitha, njerëzit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











