Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027 për institucionin që drejton, duke bërë të ditur se një nga prioritetet do të jetë lehtësimi i strehimit për çiftet e reja, të rinjtë dhe familjet në nevojë.
Sipas Ibrahimajt, përmes programeve të subvencionimit të interesave të kredive, qirave dhe instrumenteve të tjera të strehimit, qeveria synon të garantojë 10 mijë çelësa në dorë për qytetarët.
Buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit parashikohet në rreth 42 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e tij, 28.13 miliardë lekë, do të përdoret për financimin e diferencës së skemës së sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, 5.07 miliardë lekë janë parashikuar për arsimin e mesëm profesional, 3.8 miliardë lekë për programin e tregut të punës dhe 1.2 miliardë lekë për strehimin.
“Në buxhetin për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit janë të parashikuara rreth 42 miliardë lekë. Ky buxhet mbështet politikat dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pjesa më e konsiderueshme e tij, 28.13 miliardë lekë, shkon për financimin e diferencës së skemës së sigurimeve shoqërore. Pjesa tjetër mbështet arsimin profesional, punësimin, strehimin, inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe institucionet që mbrojnë konsumatorin dhe mbikëqyrin tregun”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 parashikohet dyfishimi i shtesave mujore për pensionistët, sipas kategorive të pensionit.
Për pensionet urbane me vite të plota pune, shtesa mujore do të rritet nga 1 800 në 3 600 lekë. Për pensionet urbane të pjesshme, nga 800 në 1 600 lekë; për pensionet rurale, nga 1 000 në 2 000 lekë; për pensionet familjare, nga 700 në 1 400 lekë; ndërsa për pensionet e invaliditetit të punës, nga 600 në 1 200 lekë.
Për këtë politikë janë parashikuar 20 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2027, krahasuar me 10.4 miliardë lekë që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2026.
“Angazhimi ynë për pensionistët shkon përtej kësaj. Deri në vitin 2030 ne kemi vendosur objektiva të qarta. Asnjë pensionist urban me vite të plota pune nuk do të ketë më pak se 40 mijë lekë në muaj”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj foli edhe për rritjen dhe indeksimin e pagave. Ajo kujtoi se gjatë vitit 2026 paga minimale u rrit në 50 mijë lekë, një masë që, sipas saj, ka ndikuar te rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Po ashtu, gjatë këtij viti janë indeksuar pagat në të gjithë sektorin publik.
Në paketën fiskale të vitit 2027 propozohet edhe rritja e pragut të pagës për të cilën zbatohet norma 23% e tatimit mbi të ardhurat, nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj.
Sipas ministres, një punonjës me pagë bruto 250 mijë lekë në muaj do të paguajë rreth 5 mijë lekë më pak tatim çdo muaj.
Një tjetër masë e parashikuar në paketën fiskale është ulja në 6% e TVSH-së për 54 produkte bazë të shportës ushqimore. Ibrahimaj tha se qeveria do të monitorojë çmimet për të garantuar që ulja e taksës të reflektohet edhe te konsumatorët.
“Qeveria është duke përgatitur një nismë ligjore, e cila do t’u japë më shumë fuqi institucioneve publike, me qëllim garantimin e reduktimit të çmimit bazuar në reduktimin fiskal që vjen si propozim i paketës fiskale”, deklaroi ajo.
Strehimi u rendit nga ministrja si një tjetër prioritet i projektbuxhetit, me fokus të veçantë te çiftet e reja dhe të rinjtë që kanë vështirësi për të siguruar një banesë.
“Strehimi është një tjetër mundësi që përmes këtij projektbuxheti do t’u dedikohet të gjithë atyre çifteve dhe të rinjve e të rejave, për të cilët do të ketë më shumë mundësi. Përmes projektbuxhetit ne do të garantojmë 10 mijë çelësa në dorë për qytetarët, në mënyrë që strehimi i tyre të vijë i lehtësuar, përmes subvencionimit të interesave të kredive apo përmes subvencionimit të qirave, por gjithashtu edhe përmes të gjitha programeve të tjera të strehimit”, tha Ibrahimaj.
