
Deputeti i PD-së, Isuf Çelaj gjatë fjalës në seancën plenare në Kuvend, ngriti disa shqetësime të banorëve të Tropojës, Hasit dhe Kukësit. “Shoh se nuk janë planifikuar dy akse kryesore, të cilat keni 14 vite që i gënjeni banorët e Tropojës, Hasit dhe të Kukësit. Aksi Kam-Kepenek-Zogaj-Letaj-Qafë Prushi, aks i cili u shërben të dy bashkive, por edhe banorëve që lidhen me Kosovën, rrugë e cila ka 14 vite që premtohet. E dyta, aksi Manz-Surroi-Arrëz. Për të dyja këto akse banorët kanë protestuar, por keni çuar njerëzit tuaj dhe u keni thënë që vitin tjetër do të futet në buxhet”, tha Çelaj.
Po ashtu deputeti shtoi se edhe për shëndetësinë nuk ka pasur asnjë investim në zonë. “Banorët shkojnë në Kosovë për të marrë shërbime shëndetësore. I marrin në Gjakovë ose Prishtinë”, theksoi Çelaj. Gjithashtu theksoi problematikën e shërbimit të kontrollit të shfrytëzimit të automjeteve për qytetarët e Tropojës.
“Vazhdojnë të kalojnë katër herë doganën, bëjnë 220 km rrugë për të vajtur në Kukës për kontrollin teknik të automjeteve. Kur do ua ktheni në Tropojë? Pasi nuk është ndonjë investim i madh, ose të bëhet një marrëveshje me qeverinë e Kosovës e të shkojnë në Gjakovë për këtë shërbim, pasi atje është në çdo servis privat”, u shpreh Isuf Çelaj.
