Maternitetet universitare dhe spitalet rajonale të Fierit, Shkodrës dhe Dibrës do të përfshihen në investimet për përmirësimin e kujdesit ndaj foshnjave të lindura para kohe, me synimin që shërbimet e specializuara të ofrohen sa më pranë vendbanimit dhe të reduktohen transferimet drejt Tiranës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, foli për këto investime gjatë një vizite në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku u takua me prindër të foshnjave premature, personelin mjekësor dhe mjekë të rinj neonatologë.
Investimet janë pjesë e programit “MATHERNA”, të mbështetur nga bashkëpunimi ndërqeveritar me Italinë. Përmes komponentëve AN IMA dhe PRISMA, programi synon modernizimin e ambienteve dhe pajisjeve mjekësore, si dhe përmirësimin e aftësive profesionale të personelit që kujdeset për të porsalindurit.
Gjatë bashkëbisedimit, Spahiu theksoi se lindja e parakohshme kërkon jo vetëm trajtim të specializuar mjekësor, por edhe mbështetje të vazhdueshme për prindërit.
Ajo vlerësoi punën e ekipeve mjekësore në maternitetin “Koço Gliozheni” dhe rëndësinë e trajnimit të mjekëve të rinj neonatologë, për të shtrirë gradualisht standardet e kujdesit edhe në spitalet rajonale.
Sipas ministres, synimi është që çdo foshnjë, pavarësisht vendit ku lind, të marrë kujdesin e nevojshëm në kohën e duhur, pa qenë e domosdoshme të transferohet drejt kryeqytetit.










