Për pesë vite me radhë, grupe hakerash kanë pasur akses të fshehtë në sistemet e administratës shtetërore të Bullgarisë, duke shkarkuar ilegalisht të paktën 130 gigabajt dokumente qeveritare, të barasvlershme me më shumë se 62 milionë faqe.
Operacioni i spiunazhit kibernetik është neutralizuar, ndërsa ministri bullgar i Inovacionit dhe Transformimit Digjital, Ivan Vasilev, e cilësoi si rastin më të gjatë të njohur të këtij lloji ndaj institucioneve të vendit.
Sipas hetimeve, disa grupe hakerash kishin hyrë në sistemet shtetërore që prej vitit 2021, ndërsa raste të tjera të aksesit të paautorizuar janë zbuluar edhe në vitin 2022. Objektivi i tyre ishin sistemet qeveritare që përdoren për shkëmbimin e dokumenteve zyrtare, prej nga kishin mbledhur informacione sensitive mbi veprimtarinë e shtetit bullgar.
“Ky aktivitet kishte mbetur i pazbuluar për vite me radhë, gjatë disa qeverive dhe administratave, sepse masat ekzistuese të sigurisë nuk funksiononin si një sistem i vetëm dhe i integruar”, deklaroi Vasilev.
Ndërhyrja u zbulua vetëm pas instalimit të një sistemi të ri kombëtar të sigurisë kibernetike, i cili mundësoi për herë të parë monitorimin e plotë të aktivitetit në rrjetet e administratës shtetërore.
Ministri bëri të ditur se ka urdhëruar një inspektim dhe më pas ia ka referuar çështjen prokurorisë, për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e autoriteteve shtetërore gjatë pesë viteve të fundit.
Vasilev nuk zbuloi se nga cilat vende operonin grupet ndërkombëtare të hakerave. Ai siguroi se lidhjet e tyre me infrastrukturën e përdorur për sulmin janë ndërprerë dhe se hakerat janë larguar plotësisht nga sistemet shtetërore.
Deri tani, autoritetet nuk kanë gjetur prova që të dhënat personale të qytetarëve bullgarë të jenë komprometuar.
Në hetim morën pjesë disa institucione të sigurisë dhe inteligjencës bullgare, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA).
Ndërkohë, Bullgaria po punon për të mbyllur dobësitë e zbuluara në sistemet informatike, për të forcuar kontrollet e aksesit dhe për të zgjeruar sistemin kombëtar të sigurisë kibernetike në 28 bashki dhe administrata rajonale.
Qeveria po përgatit gjithashtu strategjinë kombëtare të sigurisë kibernetike, e cila, sipas ministrit, duhej të ishte miratuar prej vitesh, por ende nuk është finalizuar.









Komente
Komento