Kosova fton startup-et shqiptare në Davos 2027, hapet thirrja për aplikim në “House of Kosova”

Kosova ka hapur thirrjen për aplikim për edicionin e tretë të projektit “House of Kosova”, i cili do të mbahet në Davos të Zvicrës, në janar të vitit 2027, me fokus në teknologji dhe inovacion.
Përmes motës “Your Tech Idea Goes to Davos”, Zyra e Kryeministrit të Kosovës fton startup-et, themeluesit e kompanive teknologjike dhe partnerët nga Kosova dhe diaspora që të bëhen pjesë e këtij organizimi.
Thirrja u drejtohet kompanive që kanë një produkt funksional ose një version fillestar të tij (MVP), kanë shënuar përparim në treg dhe kanë lidhje të qartë me Kosovën. Të drejtë aplikimi kanë edhe themeluesit nga diaspora, si dhe kompanitë ndërkombëtare që kanë lidhje të konsoliduara me vendin.
Përveç startup-eve, mundësi për t'u përfshirë kanë edhe kompanitë dhe organizatat që dëshirojnë të mbështesin projektin përmes financimit, teknologjisë, pajisjeve apo ofrimit të shërbimeve.
Edicioni i tretë i “House of Kosova” do të zhvillohet nga 18 deri më 22 janar 2027 në Davos, gjatë javës së takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, nën temën “House of Kosova: House of Tech”.
Afati i fundit për aplikim është 22 nëntor 2026. Të interesuarit mund të aplikojnë përmes faqes zyrtare: https://houseofkosova.com/open-call/
“House of Kosova” u hap për herë të parë në Davos në janar të vitit 2025. Projekti shërben si platformë për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, me fokus në ekonomi, investime dhe bashkëpunim.
Gjatë edicionit të parë, Kosova nënshkroi marrëveshjen e tregtisë së lirë me shtetet e EFTA-s, ndërsa aktiviteti “Nata e Kosovës” mblodhi udhëheqës, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër./Telegrafi/






































