Janevska: Për optimizimin dhe mësimin me një ndërrim kemi mbështetjen e UNICEF-it
"Optimizimi i rrjetit shkollor dhe mësimi me një ndërrim janë masa për arsim më cilësor dhe përvoja pozitive nga vendet e zhvilluara. Në zbatimin e tyre kemi mbështetjen e UNICEF-it. Është bërë analizë serioze për tepricën e objekteve, paraleleve dhe mësimdhënësve si dhe është përgatitur plan për optimizim. Gjithashtu, ndryshimet që po bëjmë në arsim janë të mira dhe këtë e konfirmon edhe Raporti i Bashkimit Evropian për progresin e Maqedonisë për vitin 2026".
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve në Kuvend, lidhur me efektet e optimizimit të rrjetit shkollor dhe futjes së mësimit me një ndërrim.
"Është e vërtetë se kemi mbyllur rreth 30 shkolla periferike, sepse nuk ka nxënës të klasës së parë ose ka numër të vogël nxënësish. Por, kur fëmijët nga grupet e vogla transferohen në shkolla më të mëdha, kanë më shumë mundësi të shoqërohen dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Prandaj, konsideroj se duhet të vazhdojmë me këtë proces“, tha Janevska, duke ndarë përvojën e saj personale nga vizitat në shkollat më të mëdha, ku janë transferuar fëmijë nga shkollat më të vogla, siç u shpreh ajo - fëmijët janë të kënaqur me bashkimin e shkollave.
Në Komunën e Karbincit, nxënësit nga Balvan i poshtëm janë transferuar në Tërnicë, ku tani mësojnë së bashku me më shumë fëmijë dhe janë shumë të kënaqur me këtë ndryshim, gjë për të cilën kanë dëshmuar edhe mësimdhënësit.
Ministrja gjithashtu informoi se nga gjithsej 1.023 objekte të shkollave fillore dhe të mesme, në 620 është vendosur mësimi me një ndërrim si dhe me optimizimin asnjë mësimdhënës nuk e ka humbur vendin e punës.
"Në të kaluarën, arsimi ka shërbyer për të blerë paqen sociale. Këtë e kanë bërë të gjitha qeveritë e mëparshme. Tani punësime të reja do të ketë vetëm aty ku është e domosdoshme. Në Shkup kemi nevojë të tillë, por në disa qytete dhe vendbanime të tjera në vend – vërtet nuk ka nevojë", theksoi Janevska.





























