Kërcënimet me bomba në shkollat italiane/ Identifikohet në SHBA përdoruesi i pseudonimit “Mikhail Andropov”, FBI përjashton përfshirjen e tij

Europë | 1 minutë më parë

Policia italiane e Sigurisë Kibernetike (Polizia Postale), në bashkëpunim me Shërbimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe autoritetet amerikane, ka identifikuar në Shtetet e Bashkuara personin që përdorte pseudonimin online “Mikhail Andropov” — emër ky me të cilin u nënshkruan emailet kërcënuese për bomba drejtuar mijëra shkollave në Itali. Megjithatë, pas verifikimeve të kryera nga FBI-ja, rezulton se shtetasi në fjalë është viktimë e keqpërdorimit të identitetit digjital dhe nuk ka lidhje me sulmet.

Kthesa në hetime dhe vetëdenoncimi

Hetimet nisën pas valës së emaileve alarmuese të dërguara më 11, 12 dhe 16 nëntor në mbi 10 mijë shkolla në të gjithë territorin italian, çka detyroi autoritetet të evakuonin mbi 300 institucione arsimore, përfshirë shumë të tilla në provincën e Napolit.

Një element kyç për zbardhjen e pistës u sigurua nga Qendra e Operacioneve të Sigurisë Kibernetike (COSC) e Napolit, nën koordinimin e Prokurorisë vendase. Hetuesit analizuan një email të certifikuar, të dërguar paralelisht edhe në Ambasadën Italiane në Uashington, ku një shtetas i identifikuar me inicialet G.B. raportonte vjedhjen e identitetit të tij digjital.

Në komunikimin e tij me autoritetet, G.B. deklaroi se banon në SHBA dhe se përdor pseudonimin “Mikhail Andropov” në internet “për arsye sigurie personale”. Ai sqaroi se kishte rënë në dijeni të situatës pasi “ishte kontaktuar në mediat sociale nga disa të rinj italianë të shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj shkollave”, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Verifikimi nga FBI-ja në Arizona

Pas aktivizimit të kanaleve ndërkombëtare policore, hetuesit lokalizuan dërguesin e komunikimit në Phoenix të shtetit Arizona. Gjatë marrjes në pyetje nga agjentët e FBI-së dhe përfaqësuesit e bashkëpunimit policor, G.B. konfirmoi se ishte ai autori i emailit sqarues drejtuar Ambasadës Italiane dhe COSC-së në Napoli.

Pas hetimeve dhe verifikimeve përkatëse, FBI-ja ka përjashtuar çdo përfshirje të shtetasit G.B. në dërgimin masiv të mesazheve kërcënuese, ndërsa autoritetet gjyqësore vijojnë punën për të rënë në gjurmët e autorëve të vërtetë.

Përmbajtja e emaileve dhe “Vilajeti i Misoginistanit”

Mesazhet që shkaktuan panik dhe evakuime masive në dhjetëra qytete italiane përmbanin gjuhë ekstremiste dhe referenca provokuese. Në tekstin e dërguar shkollave thuhej: “Kemi ardhur për t’ju shfarosur. Do të kryejmë gjenocid kundër italianëve”, duke pretenduar se në ndërtesa ishte vendosur një “pajisje e fuqishme shpërthyese” brenda një qeseje plastike “me një shkrepëse me telekomandë”.

Pothuajse të gjitha emailet mbanin firmën e “Mikhail Andropov”, i cili vetëprezantohej si “udhëheqësi i Vilajetit të Misoginistanit”. Ekspertët vërejnë se kjo firmë kombinon termin historik-administrativ vilajet me frazën Misoginistan — një term që qarkullon në kulturën e internetit si meme ironike për të përshkruar komunitete me prirje mizogjine. Sipas hetuesve, kjo përzierje e referencave sovjetike dhe zhargonit online synonte të tërhiqte vëmendjen dhe të mjegullonte gjurmët mbi motivet e vërteta të organizatorëve.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme