Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka njoftuar se sot, pas dy javësh kërkesash, spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës të këmbës së kryebashkiakut, i cili vuan nga një problem shëndetësor.
Përmes një reagimi, Ndreca thotë se një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial e kanë ekzaminuar Veliajn, duke konfirmuar nevojën për ndërhyrje kirurgjikale për kryebashkiakun, siç kishte rekomanduar më herët edhe mjeku turk.
Ndreca thotë se gjatë këtyre dy javëve që operacioni nuk është kryer, Veliaj ka marrë vetëm qetësues për dhimbjet. Avokati ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë për vonesën dhe pasojat e mundshme që ajo mund të ketë sjellë në gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
Në reagimin e tij, ai thekson se privimi nga liria nuk duhet të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur. Veliaj prej disa ditësh ndodhet në paraburgimin e Fierit, ku u transferua nga ai i Durrësit, ku kishte qëndruar që prej shkurtit të vitit 2025.
Reagimi i plotë i avokatit Plarent Ndreca:
Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!
Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?
Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur.










Komente
Komento