Protesta e thirrur nga studentët/ Pasi qëndruan te Ministria e Arsimit, tubuesit vendosen pranë Kuvendit, vijon seanca parlamentare
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar sërish për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, duke pretenduar se prej dy javësh ai nuk ka marrë trajtimin e rekomanduar nga mjeku.
Ndreca njoftoi se vetëm sot, pas kërkesave të përsëritura, Spitali Memorial ka vënë në dispozicion dokumentacionin mjekësor të Veliajt, përfshirë grafitë dhe rezonancën magnetike të këmbës.
Sipas avokatit, po gjatë ditës së sotme, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn dhe kanë arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Ndreca pretendon se gjatë kësaj periudhe operacioni nuk është kryer dhe se Veliaj ka marrë vetëm qetësues për dhimbjet, pa trajtim tjetër për problemin në këmbë.
“Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij. Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale. Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura. Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale! Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme? Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur”, njofton Ndreca.
Top Channel