60-vjeçari vret qytetarin për një vend parkimi
Një konflikt për një vend parkimi i mori jetën 59-vjeçarit Sylë Dakaj. I dyshuari, Rrahman Hoti, ishte dënuar më parë në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Një konflikt i nisur për një vend parkimi ka përfunduar me vrasje mesditën e së mërkurës në Suharekë të Kosovës. Një 59-vjeçar ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga një bashkëqytetar, ndërsa i dyshuari u arrestua nga policia disa orë pas ngjarjes.
Sipas raportimeve të mediave vendase, 60-vjeçari Rrahman Hoti dyshohet se ka qëlluar në drejtim të Sylë Dakajt, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pavarësisht dëmtimeve të marra, 59-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Pas të shtënave, Hoti është larguar nga vendi i ngjarjes, në përpjekje për t’iu shmangur autoriteteve. Megjithatë, policia ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë brenda pak orësh.
Rasti merr një tjetër dimension për shkak të së kaluarës së të dyshuarit. Rrahman Hoti rezulton të jetë dënuar në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur më 8 nëntor 2011.
Sipas të dhënave të raportuara, krimi ishte kryer pranë vendit të punës së gruas, me të cilën Hoti jetonte i ndarë. Për këtë vrasje, ai ishte dënuar me 19 vite burgim nga drejtësia zvicerane.
Pas vuajtjes së dënimit dhe dëbimit nga Zvicra, Hoti ishte kthyer në Kosovë. Tashmë, ai dyshohet se është përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë, këtë herë në Suharekë, ku një konflikt për parkimin përfundoi me vdekjen e një personi.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



