Demokratët nominojnë Hakeem Jeffries për të qenë kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së  

Amerikë | 1 minutë më parë

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë nominuar zyrtarisht kongresmenin Hakeem Jeffries për të qenë kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve, duke e vendosur atë në rrugën për të bërë histori si ligjvënësi i parë me ngjyrë që mban këtë post të lartë.

Gjatë një votimi me dyer të mbyllura të mërkurën, ligjvënësi nga Nju Jorku siguroi mbështetjen e nevojshme duke marrë 251 nga 262 votat e hedhura, përpara votimit të plotë të Dhomës që do të zhvillohet kur Kongresi i ri të mblidhet në muajin janar.

Edhe pse garoi pa kundërshtarë, Jeffries përballet me një parti të shqetësuar dhe të etur për ndryshime, pasi votuesit larguan republikanët nga kontrolli i Dhomës në një votë që u pa si ndëshkim ndaj Presidentit Donald Trump dhe partisë në pushtet.

Sipas raportimit të AP-së, zyrat e demokratëve dhe të ligjvënësve të sapozgjedhur janë vërshuar nga telefonata dhe mesazhe në rrjetet sociale që kërkojnë një fillim të ri, madje protestuesit ndërprenë me thirrje fjalimin e Jeffries javën e kaluar gjatë një konference demokrate në Denver.

Përpara votimit, Jeffries deklaroi se nuk po merrte asgjë si të mirëqenë. Ai zhvilloi takime të shumta me grupet e ndryshme parlamentare që përbëjnë demokratët e Dhomës dhe bisedoi me pothuajse të gjithë anëtarët e asaj që do të jetë shumica e tyre e re.

“I mirëpres këto biseda”, u shpreh Jeffries lidhur me diskutimet me kolegët e tij partiakë.

Përveç Jeffries-it nga Nju Jorku, i cili është nominuar për Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve si afro-amerikani i parë në këtë post, demokratët konfirmuan edhe pjesën tjetër të treshes drejtuese, të cilët gjithashtu garuan pa kundërshtarë.

Kongresmenja Katherine Clark nga Masaçusetsi u nominua për Udhëheqëse e Shumicës, duke u bërë gruaja e parë në histori që pritet të mbajë këtë detyrë. Ndërkohë, kongresmeni Pete Aguilar nga Kalifornia u nominua për Koordinator i Shumicës ,duke shënuar kështu një tjetër arritje historike si ligjvënësi i parë me origjinë latine në këtë pozicion.

Nominimi i brendshëm partiak është vetëm faza e parë. Hakeem Jeffries do t’i nënshtrohet votimit përfundimtar ku do t’i thirret emri në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve për t’u zgjedhur zyrtarisht kryetar, kur Kongresi i ri të nisë punimet më 3 janar 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme