Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, rriten kufijtë e dëmshpërblimit, 250 mijë lekë brenda 14 ditëve për dëmet e vogla

Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kanë hartuar projektligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2021 dhe të përshtatë plotësisht direktivat e Bashkimit Evropian në kuadër të Kapitullit 9 të negociatave për shërbimet financiare.
Nisma ligjore sjell rritje të ndjeshme të kufijve të dëmshpërblimit, procedura më të shpejta pagese për qytetarët e dëmtuar dhe mekanizma të rinj që përgatisin tregun shqiptar për integrimin në tregun evropian.
Sipas relacionit shpjegues që shoqëron projektaktin, kuadri i ri rregullator fokusohet vetëm te sigurimi i detyrueshëm motorik, duke shmangur mbivendosjet me transportin detar dhe ajror, dhe synon “garantimin e dëmshpërblimit të drejtë, të shpejtë dhe efektiv për palët e dëmtuara”, si dhe “forcimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së tregut të sigurimeve”.
Dëmshpërblime më të shpejta dhe rritje e pragjeve për qytetarët
Projektligji parashikon një sërë lehtësirash dhe garancish të reja financiare për drejtuesit e mjeteve, pasagjerët dhe palët e treta të përfshira në aksidente rrugore.
Pagesa brenda 14 ditëve për dëmet e vogla, rritet pragu për trajtimin e kërkesave me vlerë të vogël ndaj pronës, nga 100 mijë lekë që është aktualisht në 250 mijë lekë, duke detyruar shoqëritë e sigurimit t’i paguajnë ato me procedurë të përshpejtuar brenda 14 ditëve kalendarike.
Nga ana tjetër rritet kufiri i vlerës për dëmet materiale që zgjidhen me marrëveshje miqësore përmes këtij raporti, nga 30 mijë lekë në 50 mijë lekë.
Një risi thelbësore është ndalimi i aplikimit të pjesës së zbritshme (franshizës) ndaj palëve të dëmtuara, duke garantuar dëmshpërblim të plotë, si dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e pasagjerëve në policën e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Qytetarët përfitojnë vazhdimësi të mbulimit të sigurimit për një periudhë kalimtare (grace period) prej 15 ditësh pas përfundimit të kontratës, si dhe mundësinë e lidhjes së kontratave në formë elektronike.
Çdo i siguruar do të ketë të drejtë të marrë pa pagesë, brenda 15 ditëve, një certifikatë standarde të historikut të dëmeve për 5 vitet e fundit, dokument kyç për llogaritjen transparente të çmimit (sistemi bonus-malus) dhe i vlefshëm edhe jashtë vendit.
Kufijtë e rinj të përgjegjësisë dhe integrimi në BE
Projektligji parashikon përafrimin e kufijve minimalë të mbulimit financiar me standardet e Bashkimit Evropian, të cilët do të hyjnë plotësisht në fuqi në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE (me një rritje të ndërmjetme duke nisur nga 1 janari 2028).
Për dëmet ndaj personit, 6.450.000 euro për çdo aksident ose 1.300.000 euro për çdo person të dëmtuar.
Për dëmet ndaj pronës 1.300.000 euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të palëve të dëmtuara.
Me anëtarësimin në BE do të aktivizohet edhe parimi i primit të vetëm, çka do të thotë se polica e sigurimit e blerë në Shqipëri do të mbulojë automatikisht lëvizjen e mjetit në të gjithë territorin e Bashkimit Evropian pa kosto shtesë, ndërsa targa do të njihet si dokument i vlefshëm ndërkombëtar sigurimi. Po ashtu, do të krijohen mekanizma të pavarur për krahasimin e çmimeve të sigurimit dhe një Zyrë Kompensimi pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit për trajtimin e aksidenteve ndërkufitare.
Fondi i Kompensimit dhe masat ndaj shkelësve
Ligji forcon mekanizmat e mbrojtjes përmes Fondit të Kompensimit, i cili garanton dëmshpërblimin e viktimave jo vetëm në rastet kur mjeti shkaktar është i pasiguruar ose i paidentifikuar, por edhe në rastet e falimentimit apo likuidimit të shoqërive të sigurimit, përfshirë rastet ndërkufitare.
Për të rritur disiplinën në treg, AMF pajiset me kompetenca më të gjera mbikëqyrëse dhe sanksionuese, duke nisur nga paralajmërimet e gjobat e rritura për shoqëritë e sigurimit dhe drejtuesit e tyre që shkelin afatet e dëmshpërblimit, deri te pezullimi apo revokimi i licencës. Ndërkohë, Qendra e Informacionit do të ndërveprojë në kohë reale me Policinë Rrugore dhe regjistrat shtetërorë për identifikimin e shpejtë të mjeteve të pasiguruara dhe ndalimin e qarkullimit të tyre.
Sipas relacionit, zbatimi i këtij projektligji nuk sjell kosto të drejtpërdrejta për Buxhetin e Shtetit, ndërsa aktet nënligjore dhe përshtatja teknike e tregut do të realizohen brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



