Pas rreth gjashtë orësh qëndrimi në shtëpinë e tij në Prishtinë, Jakup Krasniqi ka përfunduar vizitën familjare dhe është nisur drejt zyrave të EULEX-it, prej nga do të udhëtojë për në Hagë.
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u largua nga banesa i shoqëruar nga automjetet e EULEX-it, ndërsa jashtë shtëpisë e prisnin dhjetëra qytetarë, të cilët kishin qëndruar për orë të tëra me shpresën për ta takuar. Edhe pse nuk patën mundësi të komunikonin drejtpërdrejt me të, ata e përcollën largimin e tij nga afër.
Në momentin kur Krasniqi doli nga banesa dhe hipi në automjetet e EULEX-it, qytetarët shpërthyen në brohoritje, duke thirrur vazhdimisht “UÇK, UÇK”, në shenjë mbështetjeje për të.

Krasniqit iu mundësua kjo vizitë në Kosovë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai pati mundësinë të kalonte disa orë pranë familjarëve, ndërsa vizita u shoqërua me interes të madh nga qytetarët, të cilët u mblodhën përpara banesës së tij.
Kjo ishte hera e dytë që Jakup Krasniqi lejohet të kthehet përkohësisht në Kosovë që prej arrestimit nga Gjykata Speciale, rreth gjashtë vite më parë. Vizitën e parë ai e kishte zhvilluar pas vdekjes së vëllait të tij, kur iu dha leja për t’u kthyer në vendlindje për të qëndruar pranë familjes.
