Portieri i Kosovës, Arijanet Murici, është vlerësuar nga mediumi italian “Sassuolonews” pas humbjes 3-0 të “Dardanëve” në udhëtim ndaj Republikës së Irlandës.

Murici, i cili kishte qëndruar në stol në ndeshjen kundër Izraelit në Prishtinë, u rikthye në formacionin titullar për përballjen në Dublin. Ndonëse pësoi tre gola, mediumi i afërt me klubin e tij, Sassuolon, vlerëson se rezultati nuk e pasqyron plotësisht paraqitjen e portierit kosovar.


“Rezultati nuk përshkruan plotësisht performancën e Muricit”, shkruan “Sassuolonews”, duke veçuar disa ndërhyrje të tij gjatë ndeshjes.

Sipas mediumit italian, Murici bëri disa pritje të rëndësishme, por e pati të vështirë të përballonte presionin e Irlandës, pasi Kosova luajti me një futbollist më pak për më shumë se një orë, pas përjashtimit të Kreshnik Hajrizit.

Megjithatë, në analizën e tyre përmendet edhe aksioni i penalltisë së dytë, si momenti që la një njollë në paraqitjen e portierit.

“Portieri kosovar pagoi çmimin për mënyrën se si reagoi në gjuajtjen e Molumbyt dhe kontaktin pasues me Parrott”, thuhet në vlerësimin e mediumit italian.

Murici, 28-vjeçar, deri më tani ka zhvilluar 54 ndeshje me Kombëtare e Kosovës. /Telegrafi/