Gjykata Kombëtare e Spanjës ka nisur hetimet e reja ndaj këngëtarit të njohur Julio Iglesias, pas akuzave të dy ish-punonjëseve të tij për abuzim seksual dhe dhunë fizike në pronat që ai zotëron në Karaibe.

Vendimi vjen pothuajse 11 muaj pasi prokuroria spanjolle e kishte mbyllur çështjen, me argumentin se gjykatat e vendit nuk kishin juridiksion, pasi ngjarjet e pretenduara kishin ndodhur jashtë territorit të Spanjës.

Megjithatë, organizata për të drejtat e njeriut “Women’s Link Worldwide”, që përfaqëson dy gratë, arriti të argumentojë se Gjykata Kombëtare ka juridiksion për ta shqyrtuar çështjen dhe se shtetësia spanjolle e Iglesias përbën bazë të mjaftueshme që ai të gjykohet në Spanjë.

Organizata paraqiti një kallëzim të ri penal më 3 shtator, në emër të dy ish-punonjëseve.

Akuzat u bënë publike në janar të këtij viti, pas një hetimi trevjeçar të përbashkët nga portali spanjoll “elDiario.es” dhe televizioni “Univision Noticias”. Gazetarët mblodhën dëshmitë e 15 ish-punonjësve që kishin punuar për këngëtarin, tashmë 83 vjeç, nga fundi i viteve 1990 deri në vitin 2023.

Dy gratë që kanë paraqitur kallëzimin, një punonjëse shtëpie dhe një fizioterapiste, kishin punuar në vilat e Iglesias në Republikën Dominikane dhe Bahamas.

Ato pretendojnë se këngëtari i kishte nënshtruar ndaj “prekjeve të papërshtatshme, fyerjeve dhe poshtërimeve, në një atmosferë kontrolli dhe ngacmimi të vazhdueshëm”. Sipas kallëzimit, ngjarjet e pretenduara kanë ndodhur gjatë vitit 2021.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, Gjykata Kombëtare njoftoi se po heton kallëzimin për vepra penale kundër lirisë seksuale, si dhe për dëmtime trupore dhe trajtim poshtërues.

Gjyqtari hetues Antonio Piña tha se provat paraprake të paraqitura nga njëra prej grave ishin të mjaftueshme për të nisur hetimet.

“Një fotografi e kallëzueses tregon një mavijosje në njërin krah, që përputhet me mundësinë që ajo të jetë kapur me forcë”, deklaroi gjyqtari.

“Në të njëjtën fotografi duken dy shenja në njërën kofshë, të cilat mund të përputhen me një kafshim njeriu. Sipas kallëzimit, këto shenja janë pasojë e detyrimit të saj për të marrë pjesë në akte seksuale”, shtoi ai.

Gjyqtari theksoi se dëshmia e detajuar e gruas, së bashku me provat paraprake, ishte e mjaftueshme për të nisur procedimin, por kjo nuk nënkupton një vlerësim mbi besueshmërinë e saj.

Nga ana tjetër, Piña nuk pranoi pretendimet e grave për trafikim njerëzor dhe shkelje të legjislacionit të punës. Ai vuri në dukje gjithashtu se disa nga veprat e pretenduara mund të jenë parashkruar.

Dy gratë janë thirrur të dëshmojnë personalisht në gjykatë më 3 shkurt të vitit 2027.

Julio Iglesias, i cili gjatë karrierës së tij gjashtëdekadëshe ka shitur më shumë se 300 milionë disqe, i ka mohuar të gjitha akuzat.

Këngëtari ka deklaruar se do të mbrohet ndaj asaj që e ka cilësuar si “një fyerje të rëndë”.