Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka mohuar mundësinë e ndryshimit të destinacionit të godinës së Teatrit të Kukullave në Tiranë, pas pretendimeve se ajo mund të kthehet në një qendër hebraike.
“Asnjë bazë! Asgjë e vërtetë në këtë aludim! Teatri i Kukullave është investuar, rikonstruktuar, muzeuar dhe funksionalizuar si i tillë dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim destinacioni!”, shkruan Gonxhja.
Reagimi i ministrit vjen pas diskutimit të kësaj mundësie në podcastin “Pjaca në Media Radar”, ku gazetari Blendi Fevziu kundërshtoi ndryshimin e funksionit të godinës, duke argumentuar se ajo ka rëndësi të veçantë në historinë politike dhe institucionale të Shqipërisë.
Gonxhja siguroi se godina do të ruajë funksionin e saj si Teatri i Kukullave.


