
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa e re fiskale janë një barrë e rëndë për biznesin, shtresën e mesme dhe familjet shqiptare. Gjatë diskutimeve në Kuvend mbi projektbuxhetin 2027, Tabaku theksoi se ky pr.buxhet nuk adreson problematikat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa paketa fiskale nuk është konsultuar realisht me biznesin. ”Drejtimi ekonomik që ka marrë sot Shqipëria është i gabuar. Po ashtu edhe Paketa Fiskale e pr.buxheti 2027”, tha Tabaku, ndërsa theksoi se “Shqipëria ka miratuar ndër vite nivele të ulëta të mbështetjes sociale”.
“20% e popullsisë merr vetëm 3,6% të mbështetjes sociale. Kjo është shtresa më e varfër, me mbështetjen më të ulët në të gjithë rajonin. Ku ishit këto 14 vite që nuk menduat për familjen, pensionistin, qytetarin dhe rritjen e çmimeve”, u shpreh ajo, duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës. Tabaku kundërshtoi gjithashtu efektet që priten nga ulja e TVSH-së në 6% për një listë produktesh ushqimore, duke argumentuar se rritja e TVSH-së në 21% për kategori të tjera do të neutralizojë përfitimin e qytetarëve.
“Nëse do të kishim një ekonomi me konkurrencë, të hapur dhe me garë, kjo mund të funksiononte dhe do të ishte një masë shumë e mirë. Por sot pjesa më e madhe e tregjeve janë të kapura dhe kanë dy ose tre operatorë, prandaj qytetarët nuk do ta ndjejnë këtë ulje”, tha ajo. Po ashtu, Tabaku u shpreh se ulja e pragut të biznesit të vogël nga 10 milionë, në 5 milionë lekë prek drejtpërdrejt profesionistët e lirë dhe shtresën e mesme.
Nga ana tjetër zhvlerësimi i euros, sipas saj, po dëmton fermerët, eksportuesit dhe industrinë prodhuese. “Rënia e vlerës së euros po shkatërron fshatin, fermerin, eksportin dhe industrinë e lehtë prodhuese, të cilët po mbyllin dyert. Kemi takuar biznese nga Shkodra në Vlorë e Korçë, të cilat sot i kanë nxjerrë punonjësit në rrugë”, tha deputetja.
