Përdorimi i raketave Tomahawk përtej afatit të tyre të jetëgjatësisë nga Marina Amerikane ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe efektivitetin e armatimit amerikan. Hung Kao, kandidat për një post drejtues në Marinën e SHBA-së, deklaroi para Kongresit se, për shkak të mungesës së municioneve, disa raketa të skaduara janë riklasifikuar si të përshtatshme për përdorim në operacionet kundër Iranit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, raketat i nënshtrohen kontrolleve teknike për të verifikuar gjendjen e tyre përpara se të autorizohen për përdorim. Megjithatë, ekziston rreziku që një pjesë e tyre të mos funksionojë siç duhet ose të mos shpërthejë pas lëshimit. Shqetësime të ngjashme janë ngritur edhe pas një operacioni të mëparshëm amerikan në Nigeri, ku disa raketa nuk shpërthyen dhe u gjetën të paplasura në zona të banuara.
