Babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, Thomas Markle, 82 vjeç, përballet me akuza të reja në Filipine për posedim të materialeve pornografike me të mitur. Autoritetet filipinase kanë paraqitur tre akuza kundër tij dhe mund të kërkojnë ekstradimin nga Shtetet e Bashkuara, raporton media britanike. Policia filipinase i ka dorëzuar prokurorisë në Cebu — qytetin ku Markle ka jetuar për më shumë se një vit para se të zhvendosej në Florida — tre akuza penale: dy për dyshimin e synimit për shpërndarje të imazheve që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve dhe një për posedim të materialeve pornografike me të mitur.
Prokurori Graeme Elmido ka deklaruar se, nëse sigurohen prova të mjaftueshme për zhvillimin e një procesi gjyqësor, autoritetet mund të kërkojnë kthimin e tij në Filipine. Në ditët në vijim pritet të shqyrtohen edhe akuza të tjera të mundshme ndaj 82-vjeçarit. Çështja penale pritet të ndiqet paralelisht nga autoritetet amerikane dhe ato filipinase.
Më 6 nëntor Thomas Markle ishte arrestuar nga FBI-ja në Florida dhe ishte akuzuar zyrtarisht për të njëjtën vepër penale në Shtetet e Bashkuara. Gjatë hetimeve autoritetet sekuestruan rreth 78 sende në ambiente magazinimi që ai kishte marrë me qira në Los Angeles; mes materialeve të gjetura dyshohet të ketë pasur edhe fotografi me përmbajtje seksuale që paraqisnin vajza të mitura. Pas arrestimit ai u lirua kundrejt garancisë pasurore dhe u vendos në arrest shtëpiak, por më pas dyshohet se priti byzylykun elektronik të monitorimit, çka bëri që të rikthehej në qeli.
Aktualisht ai pret një vlerësim psikiatrik për të përcaktuar nëse është në gjendje të përballet me procesin gjyqësor. Nëse shpallet fajtor nga një gjykatë amerikane, rrezikon deri në 20 vite burg. Thomas Markle prej vitesh nuk ka marrëdhënie me vajzën e tij; raportet mes tyre përkeqësuan përpara martesës së Meghan me Princin Harry në 2018 dhe që nga atëherë komunikimi ka qenë i ndërprerë.
