LIVE/ Samiti i liderëve botërorë në Kinë, shtrëngim duarsh mes tyre! Xi Jinping mirëpret Trumpin, Putin nuk kursehet: Evropa është në rënie poshtëruese
Prindërit e Francesco Gianello, 14-vjeçarit që humbi jetën nga një tumor pasi nuk mori në kohë trajtimin mjekësor, janë dënuar me nga dy vite burg secili në Itali.
Ata u shpallën fajtorë për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”, pasi kishin ndjekur të ashtuquajturën “metoda Hamer”, duke mos i siguruar djalit trajtimin e nevojshëm.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Assizes në Vicenza, e cila rikualifikoi akuzën fillestare nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”. Gjykata aplikoi gjithashtu uljen e dënimit që parashikohet për gjykimin me procedurë të shkurtuar.
Gjatë procesit, prokurori kishte lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të akuzës, duke shqyrtuar edhe alternativa të tjera ligjore, si vdekja si pasojë e një vepre tjetër penale ose braktisja e të miturit.
Pas shpalljes së vendimit, avokati Jacopo Roetta, mbrojtës i prindërve Luigi Gianello dhe Martina Binotto, e cilësoi atë si një zhvillim të rëndësishëm për klientët e tij.
“Ky vendim sjell një rreze drite në këndvështrimin tonë, sepse e vendos ngjarjen në një kontekst shumë më të përshtatshëm dhe më të drejtë në raport me akuzën fillestare”, deklaroi avokati.
Ai theksoi gjithashtu se, sipas vlerësimit të tij, çështja nuk duhej të ishte gjykuar nga Gjykata e Assizes, e cila merret me veprat penale më të rënda.
“Ky proces nuk duhej të zhvillohej përpara organit gjyqësor që shqyrton krimet më të rënda. Këta prindër duhej të ishin kursyer nga gjithë kjo ekspozim mediatik dhe jo vetëm, por mbi të gjitha nga ekspozimi njerëzor”, u shpreh Roetta.
Metoda Hamer, e njohur edhe si “Mjekësia e re jermane”, është një praktikë alternative e krijuar nga mjeku gjerman Ryke Geerd Hamer. Ajo pretendon se sëmundjet, përfshirë kancerin, lidhen me konflikte emocionale dhe psikologjike. Kjo metodë nuk mbështetet nga prova shkencore dhe nuk njihet si trajtim i vlefshëm mjekësor për kancerin. Rasti i 14-vjeçarit Francesco Gianello ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që mund të sjellë refuzimi ose vonesa e trajtimeve të provuara mjekësore për sëmundje të rënda.
Prindërit u dënuan me nga dy vite burg për vdekjen e të birit, ndërsa vendimi rikualifikoi përgjegjësinë e tyre penale nga akuza fillestare për vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia.
Top Channel