Federata Shqiptare e Bilardos dhe Snookerit vijon me kalendarin intensiv të garave, teksa së fundmi ka zhvilluar një tjetër event të rëndësishëm, kampionatin kombëtar ekipor.
Kompeticioni u zhvillua më datat 14-15 nëntor në “Arenën e Bilardos Tirana”, ku morën pjesë 12 ekipet më të mira të vendit, të cilat garuan në disiplinat 8, 9 dhe 10 gurë. Pas përfundimit të fazave eliminatore, katër ekipet që siguruan një vend në gjysmëfinale ishin Qarku Tirana, Naftëtari, Teuta dhe Flamurtari. Në gjysmëfinalen e parë, Qarku Tirana, me përbërje Besart Spahiu, Ermal Dyli dhe Ylli Gordani, u përball me Naftëtarin, i përfaqësuar nga Albion Pirko, Dorjan Maze dhe Ermir Doko. Bilardistët e Qarkut Tirana zhvilluan një paraqitje bindëse, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3–0 dhe duke siguruar biletën për në finalen e madhe.
Në gjysmëfinalen e dytë, Teuta, me Kushtrim Prengën, Eduart Zeqirin dhe Edlir Kurthysën në përbërje, u tregua superiore ndaj Flamurtarit, të përfaqësuar nga Elvis Resuli, Astrit Tolaj dhe Graciano Lima. Edhe kjo përballje përfundoi me rezultatin e pastër 3–0, në favor të ekipit durrsak. Më tej ishte radha për finalen e madhe, ku u përballën Teuta dhe Qarku Tirana, dy ekipet që kishin treguar nivel të lartë gjatë gjithë kampionatit.
Në një sfidë të luftuar, ekipi durrsak arriti të triumfojë me rezultatin 2–1, duke siguruar titullin kampion kombëtar në bilardon ekipore për vitin 2026. Teuta e mbylli këtë kompeticion në mënyrë të shkëlqyer, duke regjistruar pesë fitore në po aq përballje dhe duke mos njohur asnjë humbje gjatë gjithë kampionatit. Një sukses që konfirmon forcën dhe vazhdimësinë e ekipit durrsak në këtë disiplinë sportive.