Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, ku një i porsalindur vetëm dy ditësh pësoi prerjen e një pjese të gishtit të madh teksa personeli mjekësor po i hiqte infuzionin.
Dr. Lazo Jovçevski, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike, e konfirmoi incidentin dhe sqaroi se u thirr kirurgu pediatrik Dr. Lazar Todoroviq. Foshnja u dërgua në sallë për ndërhyrje kirurgjikale nën anestezi, pasi hemorragjia nuk po ndalte. Si pasojë, foshnja tashmë ka gishtin e madh më të shkurtër, sepse një segment i tij u amputua.
Të lidhura
None found
Babai i foshnjës, i identifikuar si A.A., tregoi për mediat se si ndodhi ngjarja. Ai shpjegoi se incidenti u shkaktua gjatë tentativës për t’i hequr infuzionin të porsalindurës.
“Gruaja ime më telefonoi që të shkoja t’i merrja nga spitali. Pasi i rregulluam dokumentet dhe prisnim që të na sillnin vajzën, ata provuan t’i hiqnin infuzionin, i cili ishte i fiksuar me shirit ngjitës dhe fashë. Gjatë përpjekjes për ta prerë me gërshërë, i prenë gishtin fëmijës”, rrëfeu ai.
Nga Klinika bënë me dije se rasti ka ndodhur më 16 nëntor dhe se menjëherë pas konstatimit të dëmtimit, u thirr kirurgu pediatrik, ndërsa i porsalinduri u transferua në repartin kirurgjik për trajtim të mëtejshëm.
Institucioni theksoi se ngjarja është regjistruar dhe raportuar si një rast i padëshiruar, ndërsa dje çështja u shqyrtua nga Komisioni i Cilësisë.
“Theksojmë se incidente të tilla trajtohen me seriozitetin më të lartë dhe nuk do të tolerohet asnjë parregullsi e konstatuar në sjellje. Nëse vërtetohet përgjegjësia, do të ndërmerren masat më të ashpra sipas ligjit. Siguria e pacientëve, sidomos e të porsalindurve, mbetet prioriteti ynë kryesor dhe institucioni do të veprojë me transparencë, përgjegjshmëri dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara”, njoftuan nga Gjinekologjia.
Gjithashtu, është caktuar një mbledhje e Komitetit Disiplinor për këtë rast, me synim që të sqarohen plotësisht dhe objektivisht rrethanat e ngjarjes, mënyra se si ndodhi shkelja dhe të përcaktohet përgjegjësia individuale.







