Është hapur zyrtarisht votimi për edicionin 2026 të çmimeve BEYOND Developments Globe Soccer Awards, që vlerësojnë futbollistët, trajnerët dhe klubet më të spikatura të sezonit 2025/26.
Tifozët në mbarë botën mund të votojnë për të preferuarit e tyre deri më 30 nëntor, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 28 dhjetor në Dubai. Në të njëjtën mbrëmje do të ndahen edhe çmimet e La Liga-s.
Në kategorinë e lojtarit më të mirë për meshkuj spikasin emra si Ousmane Dembélé, Lionel Messi, Kylian Mbappé, Lamine Yamal, Erling Haaland, Harry Kane dhe Jude Bellingham. Dembélé do të synojë të mbrojë çmimin e fituar në edicionin e kaluar.
Messi është gjithashtu kandidat për sulmuesin më të mirë, ndërsa Cristiano Ronaldo garon për çmimin e lojtarit më të mirë në Lindjen e Mesme, të cilin e ka fituar radhazi që prej vitit 2023.
Në futbollin e femrave, mes kandidateve për lojtaren më të mirë janë Alexia Putellas, Ewa Pajor dhe Melchie Dumornay. Ndërsa në garën për klubin më të mirë për meshkuj janë PSG, Inter, Bayern Munich, Arsenal, Aston Villa, Flamengo dhe Al-Ahli.
Për çmimin e trajnerit më të mirë konkurrojnë Luis Enrique, Mikel Arteta, Unai Emery, Cristian Chivu dhe Cesc Fàbregas, ndërsa kategoria e talenteve të reja përfshin emra si Arda Güler, Endrick dhe Pau Cubarsí.
Risi e këtij edicioni është çmimi për klubet me trashëgimi historike në futbollin botëror, ku janë nominuar 16 skuadra, mes tyre Real Madrid, Milan, Liverpool, Manchester United, Juventus dhe Benfica.
Votimi për 12 nga 14 kategoritë zhvillohet në platformën zyrtare vote.globesoccer.com. Në fazën përfundimtare, votat e tifozëve do të kombinohen me ato të jurisë ndërkombëtare të Globe Soccer.












