AKU reagon pas investigimit të Fiks Fare: Kundërshton pretendimet për fshehje të skandalit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vijim të transmetimit të emisionit investigativ Fiks Fare, e sheh të nevojshme të sqarojë publikisht qëndrimin e tij lidhur me disa prej pretendimeve dhe konkluzioneve të paraqitura gjatë këtij transmetimi.

Në këtë kontekst, AKU kundërshton çdo paraqitje të pasaktë, të pjesshme apo të shkëputur nga konteksti të fakteve që lidhen me veprimtarinë e institucionit dhe e konsideron të domosdoshëm sqarimin e tyre mbi bazën e dokumentacionit dhe fakteve zyrtare.

AKU vlerëson se përmbajtja e emisionit por dhe titulli i përdorur “A fshehu AKU skandalin?” përbën një raportim të pasaktë, me mangësi në disa prej elementëve thelbësorë të trajtimit të këtij rasti. Referimi pa marrë në konsideratë të dhënat dokumentare zyrtare, përveçse e bën raportimin tendencioz dhe jo objektiv, krijon një efekt paniku të panevojshëm dhe të dëmshëm për qytetarët.

Mekanizmi i sigurisë ushqimore është i ndërtuar në disa shkallë, pikërisht për të bërë të mundur gjurmimin dhe parandalimin e pasojave nga parregullsi apo shkelje proceduriale të hallkave të ndryshme brenda zinxhirit përmes të cilit produkti vjen nga importi deri tek konsumatori.

Janë pikërisht hallkat e sigurisë ushqimore brenda AKU që kanë mundësuar zbulimin e importimit të mishit në shkelje të parashikimeve ligjore, bllokimin e tij pa dalë në treg, si dhe kallëzimin në prokurori të subjekteve dhe individëve që dyshohet të jenë përfshirë në një veprimtari të paligjshme.

AKU garanton qytetarët se produkti i kësaj ngarkese të konstatuar nuk ka arritur te konsumatori dhe se gjithë sasia prej 27.000,65 kg, është peshuar dhe bllokuar me destinacion asgjësimin.   

Në kuadër të transparencës së plotë ndaj opinionit publik, me synim informimin e saktë dhe të drejtë, AKU sqaron se:

I. Që në gusht 2026, AKU kishte paralajmëruar strukturat e veta dhe vet importuesin. Më 17.08.2026 Drejtoria e Përgjithshme njoftoi të gjitha drejtoritë rajonale se, sipas Rregullores Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, nga data 03.09.2026 Brazili hiqej nga lista e vendeve të treta të autorizuara për disa produkte me origjinë shtazore. Më datë 18.08.2026, me shkresën nr. 2068/2 prot., Drejtoria Rajonale e AKU-së Fier (DRAKU Fier) ia njoftoi këtë kufizim drejtpërdrejt dhe me shkrim shoqërisë “KING-MIT” sh.p.k. Importi i mishit të derrit nga Brazili lejohet, sipas Urdhrit nr. 294, datë 13.06.2006, vetëm nga stabilimente të miratuara.

Në datë 6.10.2026, në Pikën e Inspektimit Kufitar (PIK) Durrës, u paraqit Dokumenti Veterinar për Import dhe Tranzit (DVIT) nr. 0028271 për 27.000 kg shpatull derri të ngrirë, me eksportues “BMG Foods” (Brazil) dhe importues “KING-MIT”, shoqëruar me certifikatën veterinare nr. IO-00427035/5298/26, datë 04.08.2026. Më 07.10.2026 inspektori i PIK Durrës nënshkroi pranimin e ngarkesës për treg të brendshëm dhe e pasqyroi si “të kënaqshëm” kontrollin dokumentar, të identitetit dhe atë fizik. Po atë ditë malli u zhdoganua në Degën e Doganës Fier me deklaratën IM4 nr. R 9694.

Më 8.10.2026, pra brenda 24 orëve, Sektori i Koordinimit dhe Kontrollit në Pikat e Inspektimit Kufitar në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së, gjatë verifikimit të raportimeve ditore të PIK-ut, konstatoi se kjo ngarkesë nuk duhej të kishte kaluar. Stabilimenti prodhues SIF 5298 nuk figuronte në listat e stabilimenteve të miratuara. Kodi i autenticitetit i shtypur mbi certifikatën, kur u verifikua në sistemin zyrtar të autoritetit brazilian, i përkiste një certifikate tjetër, nr. IO-00427035/Ç-MGA/26, me destinacion Kosovën dhe me periudhë tjetër prodhimi. Po atë ditë Drejtori i Përgjithshëm nxori Urdhrin nr. 5663/1 prot., datë 08.10.2026, për verifikimin e menjëhershëm të ngarkesës. Inspektorët e DRAKU Fier, të mbështetur nga Sektori i Monitorimit dhe Hetimit Ushqimor i Drejtorisë së Përgjithshme, u paraqitën në magazinën e subjektit më 08.10.2026, ora 15:00.

Në magazinë u gjet e gjithë sasia prej 27.000,65 kg, e peshuar një për një. Asnjë kg nuk kishte dalë në treg. Lotet dhe datat në etiketat e 1.088 kartonave përputheshin me certifikatën zyrtare për Kosovën dhe jo me dokumentet e paraqitura në Shqipëri. Me Vendimin e ndërmjetëm nr. AKU-FR-2026-002173-4, datë 08.10.2026, në bazë të nenit 46, pika 1 e ligjit nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, u vendos bllokimi i të gjithë sasisë me destinacion asgjësimin.

Verifikimi i mëtejshëm i AKU-së zbuloi një skemë më të gjerë. Për të njëjtën ngarkesë qarkullonin dy grupe dokumentesh me të njëjtët numra, por me përmbajtje të ndryshme: faturë, certifikatë veterinare dhe certifikatë origjine. Njëri grup u përdor para autoritetit veterinar në PIK Durrës, tjetri para doganës.

Mbi këto fakte, AKU veproi si vijon:

–  Më 16.10.2026, me nr. 5825 prot., depozitoi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kallëzim penal ndaj shoqërisë “KING-MIT” sh.p.k. dhe administratorit të saj për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera” (nenet 186, 171 dhe 174 të Kodit Penal). Kërkoi gjithashtu verifikimin e rolit të agjencisë doganore, të deklaruesit të tranzitit, të eksportuesit brazilian dhe të shoqërisë faturuese qipriote.

–  Po më 16.10.2026 depozitoi kallëzim penal të veçantë ndaj inspektorit të PIK Durrës që lejoi kalimin e ngarkesës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal) ose, sipas rezultateve të hetimit, “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre (neni 186, pika 3).

–  Po më 16.10.2026, me shkresën nr. 5663/8 prot., i përcolli Komisionit Disiplinor pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, organit të vetëm kompetent sipas nenit 22 të ligjit nr. 99/2024, praktikën disiplinore për pesë punonjës të vet: inspektorin e PIK Durrës, Kryeinspektoren e DRAKU Durrës dhe tre inspektorët e DRAKU Fier.

–  Po më 16.10.2026, me Urdhrat nr. 5814 dhe nr. 5815 prot., pezulloi përkohësisht nga detyra inspektorin e PIK Durrës dhe Kryeinspektoren e DRAKU Durrës, deri në përfundim të hetimit.

Kjo nuk është sjellja e një institucioni që fsheh. Është sjellja e një institucioni që e zbulon shkeljen vetë, e ndal mallin para se të arrijë te konsumatori.

II. PRETENDIMET E EMISIONIT DHE E VËRTETA

Pretendimi Nr. 1: Inspektori i PIK Durrës e pranoi vetë ngarkesën

Sqarimi: Është e vërtetë që inspektori i PIK Durrës e pranoi ngarkesën më 07.10.2026 dhe AKU nuk e fsheh këtë fakt. Përkundrazi, e ka dokumentuar dhe e ka çuar vetë në prokurori. Por ajo që emisioni nuk tha është se sistemi i kontrollit të AKU-së e kapi gabimin brenda 24 orëve, përmes verifikimit që Drejtoria e Përgjithshme kryen çdo ditë mbi praktikat e importit. Malli u gjet i plotë në magazinë dhe u bllokua po atë ditë.

Pretendimi Nr.2: Më 8 tetor inspektorët e AKU Fier konstatuan se gjithçka ishte në rregull

Sqarimi: Më 08.10.2026 inspektorët e DRAKU Fier, së bashku me trupën mbështetëse të Drejtorisë së Përgjithshme, shkuan në magazinë pikërisht sepse Drejtoria e Përgjithshme kishte konstatuar parregullsitë. Po atë ditë ata vendosën bllokimin e të gjithë sasisë me destinacion asgjësimin, me Vendimin e ndërmjetëm nr. AKU-FR-2026-002173-4, datë 08.10.2026. Nuk ka asnjë akt të AKU Fier që e deklaron ngarkesën “në rregull”. Nuk ka pasur as “kontradiktë” mes Fierit dhe Tiranës për fatin e mallit: të dy strukturat vepruan bashkë dhe malli u bllokua.

Ajo që Drejtoria e Përgjithshme konstatoi më pas, me Memon nr. 5663/7 prot., datë 14.10.2026, është se trupa inspektuese e Fierit kishte sanksionuar vetëm shkeljen e gjurmueshmërisë dhe nuk kishte trajtuar veçmas importin e parregullt. Për këtë mangësi AKU nuk heshti. I përcolli praktikën disiplinore Inspektoratit të Përgjithshëm dhe më 21.10.2026 i kërkoi DRAKU Fier riinspektimin e subjektit dhe zbatimin e plotë të dispozitave ligjore.

Pretendimi Nr.3: Asgjësimi i mishit dhe “ping-pongu” me prokurorinë

Sqarimi: Emisioni u përqendrua te fakti se mishi nuk ishte asgjësuar një muaj pas bllokimit. Duhet sqaruar, para së gjithash, se vendimi i datës 08.10.2026 nuk ishte urdhër për asgjësim “brenda një muaji”. Ishte masë urgjente bllokimi me destinacion asgjësimin, me afat deri më 08.11.2026, gjatë të cilit malli qëndron i bllokuar dhe nuk mund të lëvizet apo të tregtohet.

Arsyeja pse mishi nuk u asgjësua menjëherë është e thjeshtë dhe e dokumentuar: malli dhe etiketat e kartonave janë provë materiale në procedimin penal. Lotet, datat dhe vulat e kontejnerit janë prova se ngarkesa fizike është ajo e certifikuar për Kosovën dhe jo ajo e dokumenteve të paraqitura në Shqipëri. Asgjësimi i tyre para se prokuroria të shprehej do të thoshte shkatërrim i provës kryesore kundër importuesit. Për këtë arsye:

–  në vetë kallëzimin penal të datës 16.10.2026, AKU i kërkoi shprehimisht prokurorisë të vlerësonte sekuestrimin e 27.000,65 kg produkt si provë materiale para skadimit të masës administrative (08.11.2026), si dhe të jepte udhëzime për asgjësimin pas dokumentimit të etiketave, loteve dhe vulave;

–  më 21.10.2026 Drejtoria e Përgjithshme udhëzoi që asgjësimi të mos kryhej pa marrë më parë qëndrimin e prokurorisë dhe që etiketat, lotet dhe vulat të dokumentoheshin me procesverbal dhe fotografi;

–  më 26.10.2026, kur vetë “KING-MIT” kërkoi me shkresën nr. 2744 prot. të asgjësonte mallin më 29.10.2026, DRAKU Fier, me shkresën nr. 2744/1 prot., datë 26.10.2026, nuk e lejoi asgjësimin deri në qëndrimin e organit të ndjekjes penale dhe urdhëroi ruajtjen e produktit në kushte të përshtatshme;

–  më 27.10.2026 DRAKU Fier i kërkoi zyrtarisht Prokurorisë së Durrësit qëndrimin dhe udhëzimet për ruajtjen ose asgjësimin e produktit, duke i kujtuar se masa e bllokimit ishte në fuqi deri më 08.11.2026.

Pra, nuk është e saktë se “prokuroria urdhëroi” mbajtjen e mishit, dhe AKU nuk e pretendon këtë. Formulimi i përdorur para kamerës nga përfaqësuesi i DRAKU Fier nuk e pasqyroi saktë situatën. E vërteta është se AKU vetë kërkoi qëndrimin e prokurorisë, sepse malli është provë, dhe priti këtë qëndrim para se ta asgjësonte. Deklarata e prokurorisë se nuk ka dhënë urdhër për mbajtjen e mallit nuk bie ndesh me këtë. AKU nuk ka pretenduar asnjëherë një urdhër të tillë, por ka kërkuar një qëndrim. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, mishi nuk ka qenë asnjë ditë i lirë për tregtim.

Pretendimi Nr.4: Gjoba qesharake prej 2 milionë lekësh të vjetra

Sqarimi: Gjoba prej 200.000 lekësh (2 milionë lekë të vjetra) iu vendos subjektit më 09.10.2026 nga trupa inspektuese e DRAKU Fier, sipas nenit 68, pika 1, shkronja “i” e ligjit nr. 9863/2008 “Për ushqimin”, vetëm për shkeljen e gjurmueshmërisë. Ajo nuk është dhe nuk mund të jetë përgjigjja e shtetit për falsifikimin e certifikatave dhe kontrabandën.

Neni 68, pika 1 i ligjit “Për ushqimin” e thotë qartë se shkeljet e këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë vetëm “kur nuk përbëjnë vepër penale”. Në këtë rast faktet tejkalojnë kundërvajtjen administrative. Prandaj AKU e çoi çështjen aty ku duhet: në prokurori, për vepra penale që Kodi Penal i dënon me burgim. Krahasimi i gjobës administrative me “dëmin” e bën çështjen të duket më e vogël nga ç’është në të vërtetë. Përgjigjja e AKU-së ndaj “KING-MIT” është kallëzimi penal, bllokimi i plotë i mallit dhe kërkesa për heqjen e licencës.

Pretendimi Nr.5: Pezullimi i inspektorëve ishte në kundërshtim me ligjin dhe ata u rikthyen me vendim gjykate

Sqarimi: Pezullimi nuk ishte masë disiplinore. Urdhrat nr. 5814 dhe 5815, datë 16.10.2026, e cilësojnë veten “masë paraprake me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe integritetit të institucionit, si dhe mundësinë e një hetimi të paanshëm e të pavarur”. Vendimin disiplinor nuk e mori AKU. Po atë ditë praktika iu përcoll organit kompetent sipas ligjit për inspektimin, Komisionit Disiplinor pranë Inspektoratit të Përgjithshëm. AKU, pra, nuk e anashkaloi ligjin nr. 99/2024. E zbatoi atë.

Vendimet nr. 223 dhe nr. 224 Akti, datë 26.10.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës nuk janë vendime përfundimtare mbi ligjshmërinë e pezullimit. Janë vendime të ndërmjetme “për sigurimin e padisë”, të dhëna në një seancë të shpejtë, pa u shqyrtuar çështja në themel. AKU i ka ankimuar të dyja në Gjykatën e Apelit, brenda afatit ligjor, dhe ka kërkuar shqyrtimin e tyre me përparësi.

Pretendimi Nr.6: AKU nuk e bëri kurrë publik skandalin

Sqarimi: Detyrimi i parë i AKU-së është mbrojtja e konsumatorit. Kur një produkt i rrezikshëm ka dalë në treg, AKU e njofton publikun dhe e tërheq. Në këtë rast asnjë kg mish nuk është shpërndarë në treg: e gjithë sasia u gjet dhe u bllokua në magazinën e importuesit brenda 24 orëve nga zhdoganimi. Nuk kishte, pra, asnjë produkt për t’u tërhequr dhe asnjë konsumator që duhej paralajmëruar.

Nga ana tjetër, AKU kishte depozituar një kallëzim penal ku kërkonte, ndër të tjera, verifikimin e rolit të disa subjekteve të tjera, në Shqipëri, në Qipro dhe në Brazil, si dhe administrimin e dokumenteve origjinale. Publikimi i hollësive të kallëzimit para se organi i akuzës të kryente veprimet e para hetimore do të rrezikonte vetë hetimin. Detyrimi për të ruajtur fshehtësinë e hetimit nuk është heshtje. Është respekt për procesin që do të çojë përgjegjësit para drejtësisë.

Pretendimi Nr.7: Hetimi Ushqimor kallëzoi kolegët e AKU Fier dhe punonjës të Doganës

Sqarimi: Edhe ky pretendim duhet saktësuar. Kallëzimet penale të AKU-së janë dy: ndaj shoqërisë “KING-MIT” sh.p.k. dhe administratorit të saj, dhe ndaj inspektorit të PIK Durrës. Për inspektorët e DRAKU Fier, Drejtoria e Përgjithshme nuk gjeti elemente të veprës penale. Konstatoi mangësi në trajtimin e shkeljeve dhe për këtë nisi procedurën disiplinore pranë Inspektoratit të Përgjithshëm. AKU ka kërkuar që prokuroria të verifikojë rolin e agjencisë doganore dhe të deklaruesit të tranzitit dhe të administrojë dosjet e plota doganore të Durrësit dhe Fierit.

AKU vlerëson rolin e medias në informimin e publikut dhe rëndësinë e trajtimit të çështjeve që lidhen me sigurinë ushqimore. Megjithatë, informimi i publikut për çështje me interes të drejtpërdrejtë publik duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, paraqitjen e plotë të informacionit dhe pasqyrimin e saktë të veprimeve dhe përgjegjësive institucionale.

Në këtë kontekst, AKU kundërshton çdo paraqitje të pasaktë, të pjesshme apo të shkëputur nga konteksti të fakteve që lidhen me veprimtarinë e institucionit dhe e konsideron të domosdoshëm sqarimin e tyre mbi bazën e dokumentacionit dhe fakteve zyrtare. Në ushtrim të së drejtës së përgjigjes, sipas ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kërkojmë që ky reagim të publikohet i plotë, me të njëjtën hapësirë dhe rëndësi që iu dha akuzave ndaj institucionit.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri