Pesë persona janë arrestuar në Itali nën dyshimin për trafikim të kokainës, mes tyre edhe dy shtetas shqiptarë që jetonin në rajonin e Lombardisë. Njëri prej shqiptarëve, 49 vjeç, dyshohet nga hetuesit si furnizuesi kryesor i lëndës narkotike në zonën ku vepronte rrjeti.
Operacioni u zhvillua nga Karabinierët, pas një hetimi që kishte nisur në muajin shkurt, kur policia sekuestroi disa gramë kokainë te persona që dyshohet se e kishin blerë drogën në banesën e një 59-vjeçari.
Pas këtij zbulimi, hetuesit zgjeruan veprimet hetimore përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren. Këto kontrolle çuan në identifikimin e një rrjeti të dyshuar furnizimi dhe shpërndarjeje të kokainës.
Sipas informacioneve paraprake, droga u dërgohej klientëve drejtpërdrejt në banesat e tyre ose në vendet e punës, duke shmangur kështu pikat e zakonshme të shpërndarjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar të grupit dhe rolin e secilit prej personave të arrestuar.


