Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë të gatshëm për dialog, bashkëpunim dhe partneritet me autoritetet e reja në Serbi, por nuk sprapsen nga kërkesat sa i përket pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kështu është sjprehur gjatë seancës plenare në Kuvendin serb deputeti nga Koalicioni Shqiptar, Shaip Kamberi. Duke folur për kërkesat e shqiptarëve në Serbi, Kamberi tha se ato nuk janë të reja dhe se shumë çështje thelbësore ende nuk janë zgjidhur. Ai u shpreh se presin përfaqësim real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, zgjidhjen e çështjes së njohjes së diplomave, përmirësimin e arsimit, përfshirë sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe zhbllokimin e fondit që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga institucionet e Kosovës.