Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë gjithnjë e më i pakënaqur me zëvendëspresidentin JD Vance, pasi ky i fundit ka fajësuar luftën me Iranin për humbjen e republikanëve në zgjedhjet afatmesme të 3 nëntorit.

Sipas një raportimi të The New York Times, Trump u ka shprehur pakënaqësinë e tij bashkëpunëtorëve dhe aleatëve, duke pretenduar se Vance duhej ta kishte mbrojtur vendimin e presidentit për nisjen e sulmeve ndaj Iranit, në vend që ta paraqiste konfliktin si shkakun kryesor të humbjes zgjedhore.


Fillimisht, Trump nuk kishte reaguar negativisht ndaj deklaratave të zëvendëspresidentit, madje kishte pranuar se lufta kishte ndikuar në rezultatin zgjedhor. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai është bërë më kritik ndaj mënyrës se si Vance e ka trajtuar këtë çështje.

Pas zgjedhjeve, Vance kishte deklaruar se lufta me Iranin ishte arsyeja kryesore e humbjes së republikanëve, duke kërkuar që partia të përqendrohej më shumë në çështjet ekonomike, koston e jetesës dhe interesat e brendshme të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Trump ka vazhduar të shprehë privatisht vlerësime të larta për sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, i cili ka mbështetur fuqishëm luftën kundër Iranit.

Sipas raportimit, presidenti amerikan e sheh Rubion si një kandidat të mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Kjo vjen në një kohë kur JD Vance është konsideruar deri më tani si një nga figurat kryesore të republikanëve për të garuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Rubio dhe Vance nuk kanë shpallur zyrtarisht kandidaturat e tyre për vitin 2028, ndërsa raportimet për vlerësimet e Trumpit ndaj sekretarit të Shtetit kanë shtuar vëmendjen mbi raportet mes dy figurave dhe të ardhmen politike të republikanëve. /Telegrafi/