Aktivisti Kedis Burrja ka denoncuar dhunën e ushtruar nga policia, pasi pretendon se u shoqërua me forcë vetëm pse po filmonte protestën e së martës në mbrëmje.
Gjatë fjalës së tij në protestën e kësaj të mërkure, Burrja tregoi se në momentin e ndërhyrjes së policisë ndodhej në një lokal dhe po regjistronte me telefon shoqërimin e disa personave. Sipas tij, efektivët e kanë goditur në shpatull dhe në këmbë me mjete të ndryshme, ndërsa plagët, siç tha, i ka ende nga përplasja e një nate më parë.
Aktivisti deklaroi se shoqërimi u krye me urdhër të një eprori policie, pa iu dhënë asnjë shpjegim për arsyen e ndalimit. Ai rrëfeu gjithashtu se është futur me forcë në automjetin e policisë, ku dy persona janë mbajtur me të njëjtat pranga.
“U kërkova sqarim se për çfarë më ndaloni, e ata nuk thanë asnjë fjalë, kishte vetëm shkelma”, tregoi Burrja, duke shtuar se transporti është kryer në një furgon policie me xhama të errësuar.













