“Duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi”/ Samiti APEC, Xi Jinping: Duhet të punojmë në mënyrë të qëndrueshme
Maroku ka hartuar një plan ambicioz për zhvillimin e industrisë së tij ushtarake, me synimin që deri në vitin 2035 të prodhojë brenda vendit 40% të pajisjeve të reja që do t’u nevojiten forcave të armatosura dhe shërbimeve të sigurisë.
Lajmi u bë i ditur nga Pallati Mbretëror, pas një takimi të drejtuar nga Mbreti Mohammed VI, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe drejtues ushtarakë, raporton Reuters.
Plani parashikon një mbështetje financiare rreth 400 milionë dollarësh, nga një fond shtetëror, me qëllim tërheqjen e investitorëve dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në sektorin e mbrojtjes.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm është që eksportet të përbëjnë më shumë se 65% të të ardhurave të industrisë ushtarake. Për këtë qëllim, vendi synon të përqendrohet në prodhimin e dronëve, sistemeve autonome, pajisjeve tokësore dhe detare, elektronikës ushtarake, mbrojtjes kibernetike dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale.
Në kuadër të kësaj strategjie, Maroku do të krijojë edhe dy zona të reja industriale pranë Marrakeshit dhe Kazablankës, duke iu shtuar zonave ekzistuese në Nouaceur dhe Sidi Yahya.
Vendi ka miratuar që në vitin 2020 një kuadër ligjor që u lejon kompanive të licencuara të prodhojnë dhe eksportojnë pajisje ushtarake, në përpjekje për të ulur varësinë nga importet.
Ndërkohë, Maroku ka nisur të zhvillojë bashkëpunime me kompani ndërkombëtare. Aktualisht, në vend prodhohen automjete të blinduara WhAP 8×8 nga Tata Advanced Systems, ndërsa kompania vendase MMI merret me prodhimin e frëngjive dhe sistemeve të armatimit të komanduar në distancë.
Ministri i Industrisë, Ryad Mezzour, ka deklaruar se strategjia synon të shfrytëzojë përvojën dhe suksesin e vendit në sektorët e automobilave dhe të industrisë ajrore për të ndërtuar një industri konkurruese të mbrojtjes.
Top Channel