Witkoff dhe Kushner në Berlin për negociatat e paqes

Të dërguarit e posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të zhvillojnë të enjten, më 19 nëntor, një takim në Berlin me zyrtarë ukrainas dhe përfaqësues të ekipit negociator evropian, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar amerikan, i cili konfirmoi se diskutimet do të përqendrohen në hartimin e garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën në periudhën pas luftës, si dhe në avancimin e një plani gjithëpërfshirës për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Në fokus të takimeve do të jetë gjithashtu përgatitja për raundin e ardhshëm të negociatave shumëpalëshe, me pjesëmarrjen e palëve të përfshira në përpjekjet diplomatike.
Takimi në Berlin vjen pas bisedimeve të zhvilluara javën e kaluar në Abu Dhabi mes përfaqësuesve rusë, ukrainas dhe amerikanë. Këto ishin kontaktet e para të këtij niveli pas nëntë muajsh dhe synonin gjetjen e një rruge drejt përfundimit të konfliktit.
Pas këtyre diskutimeve, Witkoff dhe Kushner zhvilluan një takim në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Pas takimit, ata deklaruan se edhe Evropa do të përfshihej në raundin e ardhshëm të negociatave.
Megjithatë, pavarësisht sinjaleve për përparim diplomatik, një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit mbetet ende larg. Rusia kërkon marrjen e kontrollit mbi rajonin ukrainas të Donbasit si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Ukraina kundërshton me forcë çdo lëshim territorial.




